Washingtoni po shqyrton mundësinë e reduktimit të pranisë së tij në misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë, lëvizje që ka vënë në alarm diplomatët perëndimorë, katër prej të cilëve të cituar nga POLITICO, e përshkruan këtë lëvizje si “kthim në gjendjen fillestare” të rolit amerikan brenda NATO-s.
Sipas raporteve, administrata Trump synon të reduktojë angazhimet ushtarake jashtë vendit, duke rishikuar këtu edhe kontributin në Kosovë. Një hap i tillë shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë për ta rikthyer NATO-n në një pakt të ngushtë euroatlantik të mbrojtjes kolektive, duke u distancuar nga misionet e menaxhimit të krizave dhe partneritetet globale që e kanë karakterizuar atë në dekadat e fundit.
Megjithëse Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të komentojë mbi këto informacione, burime diplomatike konfirmojnë se diskutimet, edhe pse aktualisht janë në fazë të hershme, kanë shkaktuar shqetësim të thellë tek aleatët europianë. Misioni i KFOR, i autorizuar nga OKB-ja dhe i vendosur në vitin 1999 pas luftërave jugosllave, numëron rreth 4,500 trupa. Për shumë analistë, prania e tij mbetet shtylla kryesore e stabilitetit në Kosovë dhe më gjerë në rajon. Ekspertë të sigurisë paralajmërojnë se çdo tërheqje e parakohshme mund të inkurajojë elementë radikalë në veri të Kosovës dhe të krijojë efekt domino, përfshirë këtu tensione të reja në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Ne jemi mjaft të shqetësuar,” ka deklaruar një diplomat i lartë i NATO-s, duke shtuar se “në Ballkanin Perëndimor, përshkallëzimi mund të ndodhë shumë shpejt.”
Top Channel