Nuk ishte pjesë e takimit inaugurues të Bordit të Paqes, zbulohet arsyeja e mungesës së Bjellorusisë: Delegacionit tonë nuk iu dhanë vizat sepse…
Më shumë se 1,000 shtetas nga Kenia janë rekrutuar për të luftuar për Rusinë në luftën në Ukrainë, sipas një raporti të shërbimit inteligjent kenian të paraqitur këtë javë para ligjvënësve.
Shifra është rreth pesë herë më e lartë se vlerësimet fillestare të autoriteteve.
Ambasada ruse në Nairobi mohoi se Moska ka qenë e përfshirë në rekrutime të paligjshme, por theksoi se ligji rus u lejon qytetarëve të huaj të bashkohen vullnetarisht me forcat e saj të armatosura.
Duke cituar raportin para deputetëve, kreu i shumicës parlamentare Kimani Ichung’wah deklaroi se ekziston një rrjet zyrtarësh shtetërorë të korruptuar që dyshohet se kanë bashkëpunuar me rrjete të trafikimit të qenieve njerëzore për të rekrutuar kenianë. Sipas tij, në shënjestër janë vënë ish-ushtarakë, policë dhe persona të papunë, të cilëve u janë premtuar paga rreth 350,000 shilinga keniane në muaj dhe bonuse deri në 1.2 milion shilinga.
Over 1,000 Kenyans enlisted to fight in Russia-Ukraine war, report says https://t.co/bHBIaVaxFS
— BBC News (World) (@BBCWorld) February 19, 2026
Autoritetet keniane kishin deklaruar në nëntor se rreth 200 qytetarë të tyre luftonin për Rusinë, ndërsa Ukraina ka pohuar se rreth 1,400 shtetas nga 30 vende afrikane janë përfshirë në anën ruse, disa prej tyre të mashtruar me oferta pune.
Raporti i fundit thotë se deri në shkurt 2026, 89 kenianë ndodheshin në vijën e frontit, 39 ishin shtruar në spital dhe 28 rezultonin të zhdukur. Rekrutët thuhet se udhëtonin fillimisht drejt Rusisë me viza turistike përmes vendeve tranzit si Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe; më pas, pasi u shtuan kontrollet në aeroportin e Nairobit, rrugët kaluan përmes shteteve të tjera afrikane.
Dokumenti pretendon gjithashtu se agjencitë e rekrutimit kanë bashkëpunuar me zyrtarë aeroportesh, imigracioni dhe institucione shtetërore, si dhe me personel diplomatik në ambasadat përkatëse në Moskë dhe Nairobi, për të lehtësuar udhëtimet.
Ndërkohë, raportimet për afrikanë që joshen me premtime pune dhe përfundojnë në vijën e frontit janë shtuar muajt e fundit, duke rritur tensionet diplomatike mes Moskës dhe disa vendeve afrikane. Katër shtetas nga Afrika e Jugut, të bllokuar në rajonin e Donbas, u kthyen në atdhe këtë javë pas një apeli për ndihmë.
Ministria e Jashtme e Kenias njoftoi se 27 qytetarë të saj janë shpëtuar pasi kishin mbetur të bllokuar në Rusi, ndërsa ministri Musalia Mudavadi planifikon një vizitë në Moskë muajin e ardhshëm për bisedime mbi këtë çështje.
Top Channel