Gjermania sfidon hapur SHBA-në, Merz: Synojmë partneritet strategjik me Kinën

19/02/2026 13:16

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz pohoi hapur se vendi i tij do të kërkojë “partneritete strategjike” me Kinën gjatë një udhëtimi të planifikuar për javën e ardhshme.

Ky udhëtim do të shërbejë për të diskutuar bashkëpunimin e ardhshëm midis Europës dhe ekonomisë së dytë më të madhe të botës, e kjo, pikërisht në kohën kur Shtetet e Bashkuara po mbështeten tek tarifat për të ndikuar në politikën globale.

Ne kemi një interes strategjik për të gjetur partnerë në botë që mendojnë dhe veprojnë si ne, dhe që janë të gatshëm ta formësojmë së bashku të ardhmen, në mënyrë që vendi ynë të mbetet i begatshëm dhe me një nivel të lartë sigurie sociale”, thotë Friedrich Merz.

Merz shkoi edhe më tej me pohimet e tij, duke bërë thirrje që politika e jashtme dhe ajo ekonomike të mos ndahen më nga njëra-tjetra. Ai i mëshoi rëndësisë që duhet të ketë ruajtja e një qëndrimi të pavarur nga ndikimet e tarifave të SHBA-së. Shtetet e Bashkuara mund të vendosin tarifat sipas interesave të tyre, por Gjermania dhe Europa, tha kancelari gjerman, kanë një politikë tjetër.

Më tej ai shtoi se “Nëse amerikanët besojnë se, me politikën e tyre të tarifave, duhet të ushtrojnë ndikim në mbarë botën, nëse besojnë se tarifat janë më të rëndësishme se taksat në vend, atëherë kjo është diçka që amerikanët, natyrisht, që këtë mund ta vendosin vetë. Por, kjo nuk është politika jonë”.

Merz ka shprehur shqetësimin e tij se tarifat mund ta dëmtojnë më tej ekonominë tashmë të vështirë të Gjermanisë. Ai paralajmëroi se, nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përshkallëzojnë situatën, Europa do të jetë në gjendje të mbrojë veten.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB