Epstein dhe miqtë e tij… të pandershëm, arkivat zbulojnë një bishë seksuale që kënaqte veset e tij duke ia “shitur” skllavërinë një elite të pakontrollueshme

19/02/2026 21:15

Gazetarët dhe studiuesit pritet të kalojnë muajt e ardhshëm duke shqyrtuar dokumentet e lidhura me Jeffrey Epstein, në kërkim të aktiviteteve të tjera kriminale apo teorive të reja konspirative.

Megjithatë, një fakt ka dalë tashmë në pah, dokumentet hedhin dritë mbi aktivitetet dikur sekrete të një elite të pakontrolluar, kryesisht burra të pasur dhe me ndikim në biznes, politik, akademi dhe argëtim.

Miliona faqe përshkruajnë historinë e një krimineli të urryer që, sipas materialeve, gëzonte imunitet nga klasa sunduese ku bënte pjesë, sepse kishte çfarë t’u ofronte atyre, para, lidhje, darka luksoze, avion privat, ishull të izoluar dhe, në disa raste, seks.

Pandëshkueshmëria dhe kontrasti social

Historia e pandëshkueshmërisë së tij shihet edhe më e fortë sot, mes zemërimit publik dhe pabarazisë në rritje. Sjelljet e Epstein dhe rrethit të tij krahasohen me ato të Kaligula, ndërsa zhvilloheshin gjatë dy dekadave të shënuara nga rënia industriale amerikane dhe kriza e hipotekave, kur miliona njerëz humbën shtëpitë.

Nëse synimi i tij ishte të mbrohej duke u rrethuar me njerëz me ndikim, dokumentet sugjerojnë se ai dështoi në fund. Megjithatë, korrespondencat e tij para dhe pas ndjekjes së parë penale për abuzim me të mitura përshkruajnë një rrjet figurash me jetë luksoze, në kontrast me vështirësitë e qytetarëve të zakonshëm.

Në vitin 2002, Epstein priti ish-presidentin Bill Clinton dhe aktorin Kevin Spacey në një turne në Afrikë me avionin e tij privat. Ai tërhoqi interes edhe nga miliarderi Elon Musk, i cili në një email të vitit 2012 e pyeti për një festë në ishullin e tij. Musk ka deklaruar publikisht se korrespondenca ishte shumë e kufizuar dhe se kishte refuzuar ftesat për ta vizituar. Dokumentet përmendin gjithashtu miqësinë e tij me Donald J. Trump.

Rrethi i njohjeve

Materialet përmendin lidhje ose kontakte me figura si Woody Allen, Noam Chomsky, Kenneth Starr, Catherine Rummeler (e cila dha dorëheqjen nga Goldman Sachs mes hetimeve), Steve Bannon, Deepak Chopra, producentin Barry Josephson, ekonomistin Lawrence H. Summers, princin Andrew Mountbatten-Windsor, Sarah Ferguson, princeshën Mette-Marit dhe financierë të shumtë.

Ish-CEO i Barclays, James Staley, në një email të vitit 2014 shprehej se amerikanët e “kastës së lartë” si ai nuk kishin gjasa të përballeshin me kryengritje popullore si protestat në Brazil. Ai komentonte edhe reklamat e Super Bowl, duke përmendur reperin Jay-Z.

Mesazhe të diskutueshme dhe teori konspirative

Disa mesazhe të publikuara përfshijnë fraza të paqarta ose shqetësuese, që pa kontekst mbeten të hapura për interpretim. Referencat e shpeshta për “picën” kanë ringjallur pretendime rreth teorisë së hedhur poshtë Pizzagate, pavarësisht mungesës së lidhjeve konkrete.

Pamje video të publikuara së fundmi nga burgut ku ai u gjet i vdekur në 2019, cilësuar zyrtarisht vetëvrasje, tregojnë një figurë të paidentifikuar që lëviz drejt qelisë së tij, gjë që ka nxitur spekulime se ai mund të jetë vrarë. Disa madje pretendojnë pa prova se ai mund të mos jetë i vdekur.

Reagime politike

Ligjvënës si Ro Canna, që bashkëpunoi me Marjorie Taylor Greene dhe Thomas Massie për publikimin e dokumenteve, kanë hedhur poshtë teoritë konspirative, por kanë ngritur pyetje për mënyrën se si u krijua një elitë “kaq e pamatur dhe arrogante”. Greene deklaroi se dosjet ofrojnë një pamje të brendshme të një bote që shumëkush besonte se ekzistonte.

Megjithëse lidhjet e Epstein me figura të rëndësishme kanë bërë që disa ta shohin si manipulues të elitës, dokumentet sugjerojnë se ndikimi i tij në politikëbërje ishte i kufizuar. Në rrethin e tij mungonin prokurorë federalë, gjyqtarë apo zyrtarë të zbatimit të ligjit që mund ta kishin mbrojtur drejtpërdrejt.

Në fund ai u arrestua, u akuzua për krime të rënda seksuale dhe vdiq në burg ndërsa priste gjyqin. Bashkëpunëtorja e tij, Ghislaine Maxwell, mbetet e burgosur. Megjithatë, asnjë nga miqtë apo bashkëpunëtorët meshkuj të përmendur në dokumente nuk është dënuar për veprimet e tij.

Zërat që kërkojnë të “kalohet përpara” pa veprime të mëtejshme po shtohen, ndërsa kritikët theksojnë se qindra viktima ende presin drejtësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB