Bordi i Paqes, takimi inaugurues, 27 vende pjesëmarrëse, mes tyre Shqipëria e Kosova

19/02/2026 11:43

Një muaj pas ceremonisë së nënshkrimit të Kartës së Bordit të Paqes në Davos të Zvicrës, në Washington DC mbahet sot takimi inaugurues i kësaj nismës të presidentit amerikan Donald Trump, me në fokus të ardhmen e Rripit të Gazës përtej armëpushimit të brishtë aktual midis Hamasit dhe Izraelit.

Mbledhja e fondeve për rindërtimin e enklavës së shkatërruar nga lufta me Izraelin dhe ofrimi i ndihmës humanitare është një nga pikat kyce të takimit, që u parapri nga një mesazh euforik i Trumpit në platformën e tij të mediave sociale Truth Social, ku njoftoi se 5 miliardë dollarë janë premtuar tashmë nga anëtarët e bordit.

Përfaqësuesit e 27 vendeve iu përgjigjën ftesës për pjesëmarrje aktive. Shqipëria dhe Kosova janë në mesin e vendeve europiane që i bashkohen bordit, së bashku me Bullgarinë e Hungarinë. Italia, Qiproja, Greqia dhe Rumania, si dhe Bashkimi Evropian, kanë vendosur të bashkohen si vëzhgues, që do të thotë se nuk do të marrin pjesë në vendimmarrje. Karta e Bordit të Paqes e Trump duket se synon megjithatë një fushëveprim shumë më të gjerë se Gaza, duke nënvizuar ambicien e saj globale për të zgjidhur konfliktet.

Jason Isaacson, zyrtari kryesor i politikave dhe çështjeve politike në Komitetin Amerikan Hebraik, një organizatë avokatie për popullin hebre në mbarë botën, i tha DW se ai mbështet ambiciet e Bordit përtej Gazës, me kusht që ato të çojnë në një reduktim të konflikteve. “Ndoshta do të arrinte sukses më të madh sesa kemi parë në modelet e tjera të zgjidhjes së konflikteve në të cilat jemi mbështetur dhe nganjëherë kemi qenë të zhgënjyer për shumë vite”, tha ai.

Isaacson shpreh bindjen se pavarësisht kritikave me të cilat përballet Bordi, ai mund të jetë gjithsesi një lojtar kyç në tranzicionin e pasluftës në Gazë. “Çdo gjë që e ndryshon realitetin në një drejtim pozitiv është një sukses”, ishte komenti i tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB