Shqipëria e mbylli sot pjesëmarrjen e saj në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, duke shënuar fundin e një aventure historike që solli katër sportistë shqiptarë në pistën më prestigjioze të skive alpine.

Lara Colturi, ylli 19-vjeçar që mbante peshën e shpresave shqiptare për një medalje, e përfundoi garën e slalomit të sotme jashtë zonës së podiumit. Pas një lëshimi të parë premtues ku u rendit e shtata me vetëm 1.26 sekonda diferencë nga liderja, skiatorja me origjinë italiane por që garon për Shqipërinë nuk arriti të përmirësonte pozicionin në lëshimin e dytë.

Sportistet e tjera kuqezi, Semire Dauti dhe Lisa Brunga, e mbyllën garën që në lëshimin e parë. Dauti braktisi pas një gabimi në sektorin e dytë të pistës, ndërsa Brunga u skualifikua nga komisarët e garës pavarësisht se arriti të vendoste kohën 57.58. Milano-Cortina 2026 do të mbetet në histori si Lojërat Olimpike Dimërore me pjesëmarrjen më të madhe shqiptare ndonjëherë. Për herë të parë, Shqipëria solli katër skiatorë në një edicion olimpik: Denni Xhepa, përfaqësuesi i vetëm mashkull që garoi në slalom më 16 shkurt, Lara Colturi, talenti 19-vjeçar që solli shpresat më të mëdha për një medalje historike, Semire Dauti dhe Lisa Brunga që plotësuan kuartetin shqiptar në pistën e Cortinës.

Shqipëria mbetet në pritje të medaljes së saj të parë olimpike dimërore. Lara Colturi, në mars 2024, solli optimizëm të madh pas performancave të shkëlqyera në Kupën e Botës këtë sezon, ku arriti pozicionin e gjashtë në slalomin gjigant të Kranjska Gora dhe vendin e pestë në Jasna dhe katër podiumet e këtij viti të Kupës së Botës. Megjithatë, presioni olimpik dhe niveli i lartë i konkurrencës në Cortina treguan se rruga drejt podiumit mbetet ende e gjatë për skin shqiptar.

Pavarësisht mungesës së medaljes, pjesëmarrja në Milano-Cortina 2026 përfaqëson një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sporteve dimërore në Shqipëri. Prania e katër atletëve në pistë, veçanërisht e një talenti të ri si Lara Colturi, jep shpresë për edicionet e ardhshme olimpike. Tani vështrimi i sportit shqiptar kthehet drejt të ardhmes, me shpresën se investimi në sportet dimërore do të japë frytet e veta në vitet që vijnë. Faleminderit sportistëve tanë për përfaqësimin dinjitoz të flamurit kuqezi në Alpe!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB