Qeveria greke në përgatitje të planit të ri për menaxhimin e migracionit, çfarë pritet të ndryshojë

18/02/2026 21:16

Qeveria greke po përgatit një plan të ri për menaxhimin e migracionit, me fokus në rritjen e kthimeve të personave që nuk përfitojnë azil dhe në këtë kuadër ajo po ecën përpara me krijimin e qendrave të riatdhesimit për azilkërkuesit e refuzuar në vendet jashtë BE-së.

Deklaratat u bënë nga Ministri i Migracionit dhe Azilit, i cili theksoi se në vitin 2025 u regjistrua një ulje prej 21% e mbërritjeve të paligjshme krahasuar me vitin 2024, ndërsa gjatë pesë muajve të fundit rënia arrin në 40%, që përkthehet në rreth 13 mijë hyrje më pak.

Megjithatë, sipas ministrit, sfida kryesore mbetet procesi i kthimeve. Greqia realizon çdo vit rreth 5.000 deri në 7.000 kthime, një shifër që konsiderohet e pamjaftueshme në raport me flukset, të cilat arrijnë rreth 40 mijë persona në vit.

Në këtë kuadër, Greqia po bashkëpunon me Gjermaninë, Holandën, Austrinë dhe Danimarkën për krijimin e qendrave të kthimit në vende të treta jashtë Bashkimit Evropian, me preferencë në vende të Afrikës. Siç shpjegoi ministri, personat, kërkesa për azil e të cilëve refuzohet dhe që nuk mund të kthehen në vendin e origjinës, do të transferohen në këto qendra.

Deklaratat vijnë në një moment kur Parlamenti grek miratoi para rreth dy javësh ligjin për “Promovimin e Politikave të Migracionit të Ligjshëm”. Qëllimi i tij është krijimi i një sistemi më të shpejtë dhe funksional për migracionin e ligjshëm, me më pak burokraci dhe procedura të thjeshtuara për punësimin e shtetasve nga vendet e treta, ndërsa paralelisht parashikohen masa më të rrepta për të frenuar migracionin e paligjshëm dhe për të forcuar bashkëpunimin me vendet e origjinës në çështjen e kthimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB