Mbështet agresionin rus, Ukraina vendos sanksione ndaj presidentit të Bjellorusisë

18/02/2026 11:20

Ukraina ka vendosur sanksione ndaj presidentit bjellorus Alexander Lukashenko, duke e akuzuar se ka mbështetur ushtarakisht Rusia dhe ka kontribuar në “vrasjen e ukrainasve”, njoftoi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Sipas Kievit zyrtar, Lukashenko ka lejuar përdorimin e territorit bjellorus si bazë nisjeje për operacionet ushtarake ruse kundër Ukrainës. Autoritetet ukrainase pretendojnë gjithashtu se në Bjellorusi janë vendosur pajisje ushtarake ruse, përfshirë sisteme komunikimi që lidhen me dronët sulmues që godasin qytetet ukrainase pothuajse çdo natë.

Në një deklaratë publike, Zelensky bëri të ditur se paketa e sanksioneve synon të forcojë kundërmasat ndaj çdo forme ndihme që, sipas tij, Lukashenko i jep luftës.

Ai e akuzoi liderin bjellorus se po ndihmon Moskën të shmangë sanksionet perëndimore dhe se po e zgjat konfliktin duke rritur përfshirjen e tij.

Lukashenko konsiderohet aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, ndërsa Moska ka deklaruar më parë se po vendos sisteme raketore me kapacitet bërthamor në territorin bjellorus.

Presidenti ukrainas paralajmëroi se vendimi do të ketë “pasoja të veçanta”, duke lënë të kuptohet se masa të tjera ndëshkuese mund të pasojnë nëse bashkëpunimi ushtarak mes Minskut dhe Moskës vazhdon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB