Inside Story/ Vrasja që i ‘vuri zjarrin’ disa qyteteve, Jani iu drejtua me emër Eltonit, të pathënat e eliminimit të Çiçës në mes të Bllokut

18/02/2026 21:53

Pasi Jani Aliaj i shpëtoi disa atentateve, tashmë plumbat do të drejtoheshin nga armiku i tij i betuar.

Më 1 maj 2016, Elton Çiça ekzekutohet në zemër të ish-Bllokut. Ora shënonte 22:15 kur një person me veshje sportive dhe kapele të bardhë afrohet drejt lokalit.

“Historia mes tij dhe Elton Çiçës është një nga ngjarjet më të dhunshme që është raportuar ndonjëherë nga media në Shqipëri, për shkak edhe të vrasjes se si ndodhi vrasja e Elton Çiçës në ish-Bllok”, u shpreh gazetari, Xhevahir Zhabina.

“Në këtë periudhë nga sa kam unë dijeni, është ngritur një grup hetimor, i cili në një kohë rreth 20-25 ditë e ka zbardhur si ngjarje, pavarësisht se autori Jani Aliaj nuk u arrit të kapet asnjëherë dhe të vendoset përpara drejtësisë, por policia ka bërë një punë shumë të mirë lidhur me dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje”, u shpreh avokati, Gjergj Nikolli.

Brenda, gjithçka dukej e zakonshme: një person në këmbë pranë banakut, katër të ulur në një tavolinë, mes tyre Elton Çiça, me kokën e ulur mbi telefon, i painteresuar për atë që po afrohej drejt tij. Kamera fikson çdo lëvizje, çdo hap, çdo sekondë që çon drejt aktit fatal.

“Rreth orës 22:15, në ambientet e lokalit ‘De Niro’, ka hyrë një person i veshur sportiv, me kapele të bardhë, i cili është drejtuar me hapa të shpejtuar drejt tavolinës ku ndodhej viktima.”

Por ajo që e bën këtë skenë edhe më tronditëse është mënyra si ndodh përballja: autori i drejtohet me emër viktimës, sikur të kërkonte konfirmim, sikur të donte që objektivi ta dinte se kush po e thërriste në atë çast të fundit.

Brenda dy sekondash, arma del nga brezi dhe dy të shtëna thyejnë qetësinë e lokalit, duke e shndërruar atë tavolinë në skenë krimi.

“Autori, pasi i është drejtuar me emër viktimës, ka nxjerrë armën e zjarrit tip pistoletë dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të trupit të tij, duke u larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.”

Pamjet tregojnë edhe një detaj që hetuesit e konsiderojnë domethënës: para se të largohet, autori kthen kokën për një fragment sekonde, si për të verifikuar rezultatin e veprimit të tij.

Hetuesit detyrohen të kthehen pas në kohë. Motivi nuk gjendet në javët apo muajt e fundit, por në vitin 2006, në një vrasje në Greqi. Në një miqësi fëmijërie. Në një premtim hakmarrjeje të dërguar brenda një burgu.

Grupi hetimor u fokusua pikërisht tek saga e përplasjes me Jani Aliajn, që do të identifikohej si autori i krimit.

Në dosje përshkruhet qartë se pas këtyre episodeve, ai ishte i vendosur të vepronte, duke e konsideruar Elton Çiçën si organizatorin e sulmeve ndaj tij.

Hetuesit theksojnë se vendimi për të goditur nuk ishte impulsiv, por i menduar dhe i paraprirë nga vëzhgime të lëvizjeve të viktimës.

“Pas dy atentateve të dështuara ndaj shtetasit Jani Aliaj, ky i fundit, i bindur se organizator ishte shtetasi Elton Çiça, ka vendosur të kundërpërgjigjet duke planifikuar eliminimin fizik të tij.”

“Një nga arsyet që pati një angazhim kaq të madh, për shkak se informacionet kanë qenë të atilla që hakmarrja do vazhdonte shumë e ashpër ndaj dy grupeve. Pikërisht për të evidentuar këtë u bë një përkushtim i kësaj ngjarjeje u mor me shumë seriozitet si nga drejtoria e policisë Tiranë, dhe nga prokuroria derisa u arrit të dokumentohej me prova ligjore,” u shpreh avokati, Gjergji Nikolli.

Hetuesit ndoqën çdo gjurmë, çdo lëvizje të automjetit që kishte transportuar autorin. Kamerat e sigurisë identifikuan veturën me të cilin Aliaj u largua pas ngjarjes, ku rezultoi si një mjet i blerë vetëm tre ditë para ngjarjes. Një zgjedhje që fliste për planifikim dhe përkushtim ndaj detajeve. Makina ishte blerë në emër të Renato Milloshit, i cili u dënua vetëm për moskallëzim krimi…

Përpara hetuesve ai u shpreh se Aliaj i kishte kërkuar ta regjistronte automjetin në emër të tij me pretendimin se e kishte vendodhjen në Tepelenë…

“Sipas deklarimeve, ai nuk mund të merrte mjetin në emrin e tij, pasi e kishte vendbanimin në qytetin e Tepelenës. Duke u ndjerë borxhli për shkak të respektit që i pandehuri Jani Aliaj i kishte bërë, Renato kishte pranuar ta blinte mjetin në emrin e tij dhe për këtë e kishin lënë për t’u takuar tek noteri Sh. Gj., për të kryer veprimet.”

“Unë i konsideroj këto si vepra të rënda penale që vijnë si pasojë e një grupi për t’u vendosur ndaj një tjetri, për t’u mbivendosur ndaj një tjetri ose për të siguruar veten e tij, ose për të siguruar jetën nga kundërshtarët, duke qenë se kjo frikë është më e madhe se nevoja për hakmarrje ose për të kundërshtuar, ose për të vrarë për arsye të një konflikti të mëparshëm. Mendoj që kjo sjell viktimat më të mëdha”, u shpreh avokati, Indrit Sefa.

Detajet e mëtejshme të dosjes zbuluan një skemë të kujdesshme për të fshehur gjurmët. Dëshmitari me inicialet K. A., shitësi i makinës, rrëfen pamjen që sot duket si një skenë filmike:

“Mbasi kemi shkuar tek noterja, ka ardhur një djalë me kapele të cilën e kishte të ulur deri poshtë hundës dhe i dallohej vetëm pjesa e gojës. Kanë marrë makinën dhe kanë shkuar të bëjnë targat.”

Një provë të rëndësishme për autorsinë e vrasjes dha shitësi i automjetit, i cili i dorëzoi hetuesve numrin e telefonit me të cilin kishte komunikuar për shitjen e mjetit, i cili rezultoi se përdorej nga Jani Aliaj…

“Nga analiza e tabulateve të numrit të telefonit ka rezultuar se numri ishte në përdorim të pandehurit Jani Aliaj dhe antena e qelizës së vendndodhjes rezultoi në zonën e rrugës në drejtim të vendit të ngjarjes.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB