Inside Story/ Luftë mes bandave si në filma, grupi i Aliajt përleshje të armatosur me rivalët për grabitjen e drogës

18/02/2026 21:39

Një prej aktiviteteve kryesore të Jani Aliajt ishte kultivimi dhe trafiku i kanabisit.

Mendohet se ky aktivitet e futi në rrugën e konflikteve mes grupeve. Një prej episodeve të zbardhur, lidhet me tentativën për grabitjen e 100 kilogramëve kanabis në Frashër, një operacion që tregoi aftësinë e tij për organizim, planifikim dhe ekzekutim të veprimeve të rrezikshme.

Ngjarja, e regjistruar në aktakuzë dhe e ndjekur nga prokuroria, tregonte se Aliaj mund të manipulojë njerëzit, situatat dhe dhunën për të arritur objektivat e tij nga grabitja e drogës deri tek përplasjet që do të lindnin vrasje dhe plagosje.

“Ka marrë pjesë në zhdukje të sasisë së lëndëve narkotike që banda shqiptare kanë shpërndarë në Athinë dhe nuk i ka paguar ata, dyshohet se ka keqpërdorur njohjet e tij, për të përfituar jashtë kuadrit të bandave në të cilën ai operonte”, u shpreh gazetari, Artur Bibe.

“Siç është raportuar edhe më parë, këta kanë qenë një grup i madh shoqëror, janë njerëz që e njohin mirë njëri-tjetrin, janë nga i njëjti vend, janë afërsisht të së njëjtës moshë dhe gjithashtu kanë pasur njohje të mëparshme dhe bashkëpunime të mëparshme”, u shpreh avokati, Indrit Sefa.

Një përplasje mes grupeve rivale të trafikut të kanabisit, çoi në një përleshje të armatosur mes tyre në fshatin Vreçisht të Frashërit, ku u tentua grabitja e një sasie prej 100 kilogramë lëndë narkotike.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, në këtë ngjarje janë përfshirë të pandehurit Jani Aliaj, Enea Koçia, Mario Ndreu, Stefan Gjoka, Roland Pata, si dhe Altin Merdani.

Dosja hetimore sqaron se ngjarja nisi në orët e vona të natës, kur Koçia dhe Merdani, pasi takuan me të pandehurit e tjerë në një karburant në Gjirokastër, u nisën drejt vendit të përleshjes.

“Pasi u organizuan me tre automjete dhe u armatosën me armë luftarake, ata u nisën drejt fshatit Frashër me qëllim për të grabitur 100 kg lëndë narkotike që po transportohej nga vëllezërit Ilirjan, Fatri dhe Gazmor Ibro.”

Sipas të njëjtit dokument, grupi kriminal kishte planifikuar grabitjen në vendin e quajtur “Hangari Gostomickës,” ku u ndeshën me pesë personat që po transportonin drogën me mushka.

“Në momentin që janë afruar pesë shtetasit që po transportonin lëndën narkotike me mushka, u është bërë thirrje që të ndalojnë në një largësi 5-10 metra nga dy automjetet. Personat e armatosur kanë hapur zjarr me tre armë të ndryshme, dy automatik dhe një pistoletë, në drejtim të Gazmor Ibros. Një nga predhat ka goditur Gazmor Ibron në shpinë duke i rrezikuar seriozisht jetën e tij.”

Kjo ngjarje, zbulon brutalitetin e operimit të grupit të Jani Aliajt. Pas shkëmbimit të zjarrit, grabitësit morën të gjithë lëndën narkotike dhe u larguan me tre automjete. Njëri prej mjeteve, ai me targa “AA 122 JC,” ngeci për shkak të një defekti.

“Jani Aliaj ishte një personazh goxha i rëndësishëm, në grupin e tij që ai përfaqësonte, nuk ishte vetëm në rolin e ekzekutorit por ishte në një rol goxha vendimarrës, me autoritet brenda grupit, për shkak të kaluarës së tij, ai impononte vetë kundërshtarët frikë”, u shpreh avokati, Gjergj Nikolla.

“Jani Aliaj mbahet mend si një person që nuk kishte miq, i shiste shumë kallaj ata ndaj edhe krijoi armiqësi dhe u largua nga njerëzit që ishin shumë të afërt me të, dhe u largua nga ata që ishin njerëzit më të afërt të tij që ishin grupet e shitjes së drogës në zonën e Lazarat-Tepelenë, të cilët ishin njerëz të njohur nga e njëjta krahinë, njiheshin me njëri-tjetrin”, u shpreh gazetari Artur Bibe.

Veprimet e prokurorisë çuan në arrestimin në flagrancë të Roland Patës, ndërsa disa pjesëtarë të tjerë u fshehën dhe u bënë të paarritshëm për autoritetet.

“Pajtim Shyti ka mbajtur në kontakt dhe biseduar me Ahmet Skenderaj për lëvizjet e policisë, ndërsa ky i fundit ka njoftuar Zaim Ibron, Ilirjan Ibron dhe Fatri Ibron për çdo veprim të policisë në vendngjarje.”

Për këtë ngjarje, Jani Aliaj është dënuar me 10 vite burg nga gjykata e Përmetit… Por gjykata e Apelit shpalli moskompetencë për dosjen, pasi ngriti akuzën e grupit kriminal. Ky ishte momenti që e ngriti Aliajn në nivele të larta të krimit. Ai u shndërrua në njeri hije që dinte si t’i shmangej drejtësisë.

“Kam përshtypjen është se autoritetet, policia, prokuroria në atë kohë sa nuk ka pasoja në njerëz, nuk ishin të interesuara për të çuar përpara drejtësisë këta personazhe, duke pasur parasysh më pas edhe ndikimin që ata kanë pasur në policinë lokale të Gjirokastrës por edhe në Tiranë”, u shpreh gazetari Xhevahir Zhabina.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB