Inside Story/ Kodi napolitan i përplasjes “Aliaj-Çiça”, grupet që “shlyenin” gjakun e shokëve…
Tri javë më pas vrasjes së Elton Çiços, hetimi merr formë konkrete. Policia e Tiranës, pasi dokumenton dinamikën e ngjarjes dhe analizon provat filmike, shpall në kërkim dy persona: Jani Alinë si autor të dyshuar të ekzekutimit dhe Renato Milloshin si bashkëpunëtor.
Hetimi që filloi me vrasjen e Elton Çiçës zbuloi rrjetin e përfshirë më gjerë në këtë cikël hakmarrjesh.
Një nga bashkëpunëtorët e dyshuar në ekzekutimin e Çiçës ishte edhe Nelgert Pata, mik i ngushtë i Jani Aliajt, i ekzekutuar pesë muaj më vonë në Fier. Kjo lidhje tregon një vijë të qartë hakmarrjeje dhe planifikimi mes personazheve të përfshirë në konflikt.
“Nelgert Papa, ishte lidhje e afërt e Jani Aliajt, ndërsa personi tjetër ishte lidhje afërt shoqërore e Elton Çiçës. Të dyja këto ngjarje fatkeqësisht janë të pazbardhura, por nga dinamika dhe rrethanat dyshohet se kanë lidhje me të njëjtat ngjarje”, u shpreh avokati, Gjergj Nikolli.
“Origjina e këtij konflikti sigurisht që janë po grupet e Teplenës, ku dyshohet se Nelget Pata ishte pjesë e grupit kundërshtar ndaj Elton Çiças” u shpreh gazetari, Xhevahir Zhabina
Sipas raporteve policore, Elton Çiça, kontrollonte lëvizjet e Nelgert Patës dhe Jani Aliaj nëpërmjet shtetasit me inicialet O. K., lidhje e ngushtë shoqërore e viktimës.
Në dosje thuhet se, pasi është kërcënuar me jetë nga Aliaj dhe Pata, shtetasi O. K., i ka konfirmuar atyre se kontrollnte lëvizjet e tyre për llogari të të ndjerit Çiça…
Por, me eliminimin e Elton Çiçës, i njohur si bos i drogës në Tepelenë me lidhje të fuqishme, nuk ndenjën duarkryq miqtë e tij. Ata ishin betuar se do ti eliminonin një nga një të gjitha kudnërshtarët në shenjë hakmarrje.
Të paktën 3 atentate u kryen ndaj Nelgert Patës, ngjarje që dyshohet se kanë për autor njerëzit e Elton Çiçës.
“Ndaj ti pati një atentat në zonën e “pallatit me shigjeta” me snajper, ka qenë një histori që ka marrë shumë vëmendje mediatike në atë kohë, pasi ka ndodhur në mes të Tiranës, por për fat të mirë Pata, arriti ti shpëtonte atij atentati, dhe më pas sigurisht që ky personazh ishte në fokus të kundërshtarëve të tij dhe ndiqej këmba këmbës për të arritur deri tek ngjarja në fier ku ai u ekzekutua”, u shpreh gazetari, Xhevahir Zhabina
Më 21 gusht 2016, një snajperist e goditi pranë një kompleksi luksoz në Tiranë ku ndodhej Nelgert Pata, por, objektivi shpëtoi vetëm me një gërvishtje në vesh.
Në 17 nëntor 2016, ai i shpëton një atentati të dytë në Fier. Por atentatorët nuk e lanë me aq. Përpjekja e tretë, më 20 nëntor 2016 në Fier, do të ishte fatale për 34-vjeçarin.
Edhe pse përdorte një makinë të blinduar dhe xhama të errët, ditën e ekzekutimit e kishte lënë atë të parkuar në hotelin ku qëndronte.Sipas të dhënave hetimore, atentati ishte rezultat i hakmarrjeve që kishin nisur në Tepelenë mes dy grupeve rivale, atë të Elton Çiçës dhe Jani Aliajt.
“Anëtarët e këtij grupi të madh ishte e vështirë shumë të identifikojë persona konkret të cilët ishin involvuar në këto ngjarje sepse edhe masat që ato merrnin, ku pas atentatit digjnin automjetet siç ndodh edhe sot që shumë ngjarje janë ende të pazbuluara sepse autorët i marrin masat në mënyrë të atillë që mos të zbulohen nga autoritet”, u shpreh Gjergj Nikolli, avokat.
“Për policinë, nga informacionet që kishte policia në atë kohë ai njihej, po them për konfliktin e tij me Elton Çiçan, por edhe me afërsinë që ai kishte me Jani Aliajin, dhe kjo bëri që policia të fokusoj në atë kohë në këtë drejtim, për të zbardhur këto ngjarje, por nuk arriti të siguronte prova dhe të lidhte Elton Çiçën”, u shpreh gazetari, Xhevahir Zhabina
Pata, megjithëse i vetëdijshëm për rrezikun, nuk u dorëzua; ai telefonoi Policinë kur pa persona të dyshimtë duke e ndjekur në Tiranë dhe më pas në Fier, por shërbimet e rendit nuk arritën kurrë të parandalonin sulmin.
Makina në të cilën Pata mbante armët dhe planifikonte lëvizjet e tij, një “Benz S-Class” me targa të vjedhura, u gjet e braktisur në parkingun e hotelit.
Brenda saj ishin dy automatikë model 56, kalibër 7.62 mm, dhe një shishe benzinë 1.5 litërshe, duke i vërtetuar hetuesve se edhe ai vetë ishte në kërkim të kundërshtarëve
Me të njëjtën makinë, por me targa të ndryshuara, Pata kishte udhëtuar më parë nga Gjirokastra në Tiranë, kur iu bë atentati i parë.
“Policia e ka shumë të vështirë për të zbuluar ngjarjen kriminale, pavarësisht se mund të ketë të dhëna operative, nuk e diskutoj, pasi ka informacione operative, nga shërbimi informativ, nga rrjeti i agjenturës që ka në terren e të gjitha me radhë. Por, operacionet operative, jo në të gjitha rastet bëhet dosje hetimore, sepse një dosje hetimore në zbardhjen e një vepre penale duhet të kemi prova”, u shpreh avokati, Indrit Sefa.
“Dukshëm që Elton Çiça kishte në atë kohë mbështetje shumë të madhe, kjo edhe për shkak të njohjeve që kishte në policinë e shtetit, por edhe për shkak të aktivitetit të tij kriminal. Kjo periudhë ishte periudha e revanshit të grupit të Elton Çiças, por sot që flasim që të dy këto fraksione të këtyre grupeve asnjëri prej tyre nuk jeton më”, u shpreh gazetari, Xhevahir Zhabina
Në ekzekutimin që e përfundoi historinë e tij, mbeti i plagosur edhe miku i tij, Ari Alinani, 38 vjeç, i cili kishte marrë makinën nga vetë Pata dhe kishte pasur komunikime të vazhdueshme me të, sipas tabulateve telefonike.
Megjithëse i dyshuari kryesor për mbrojtjen e së vërtetës dhe rolin e tij në ngjarje të mëparshme kriminale, Alinani mohoi përfshirjen në plagosjen e Andi Mustafarajt, një mik i Elton Çiçës…
Ndërsa tensionet për rrethin e hakmarrjes dhe eliminimin e Elton Çiçës po rriteshin, një ngjarje tjetër kriminale ndodhi paralelisht.
Top Channel