BE do të japë fonde për bujqësinë, ministri Salla: Presim të marrim 112 milionë euro fonde nga Bashkimi Europian

18/02/2026 16:55

Shqipëria po arrin të bindë Europën që të marrë fonde për bujqësinë.

Ministri Andis Salla, para gazetarëve, dha premtimin se brenda këtij viti do të çelen fondet e programit IPARD III, që kapin vlerën e 147 mln eurove, nga të cilat 112 mln euro do t’i sigurojë Europa.

“Unë në datën 9 jam në Bruksel për të vazhduar hapjen e mëtejshme, në mënyrë që ne brenda 6 mujorit të parë të vazhdojmë me çeljen dhe hapjen e 112 mln eurove nga BE”, tha ministri i Bujqësisë, Andis Salla.

Skema kombëtare 2026 do të vijë me ndryshime rrënjësore, ku fokusi kësaj here do të jetë blegtoria. Në vend të parave, kësaj here qeveria do të japë edhe gjëra të gjalla.

“Për të rinjtë dhe të rejat nga 18-35 vjeç po shohim mundësinë që ne të japim nga 7-10 mijë euro grant, kryesisht në blegtori”, theksoi ministri i Bujqësisë, Andis Salla.

Vëmendje të veçantë kësaj here do të marrin edhe fermerët që do të qëndrojnë larg pompës me pesticide.

“Ne do të vendosim një paketë prej 70% për serat që aplikojnë kontrollin biologjik”, shtoi ministri i Bujqësisë, Andis Salla.

Për të garantuar sigurinë ushqimore, ministri i Bujqësisë thotë se i beson sistemit të kontrollit.

Gazetarja: Ndërkohë, doja të ndalesha tek aksioni që ju keni bërë për misirin serb, duke vënë traun që bllokuat 520 ton misër të kontaminuar, por kjo nuk reflektoi si siguri ushqimore tek fermat pasi aflatoksina është ende?

“Vetëm 3 muajt e fundit ne kemi ulur aflatoksinën në masën 60%. Kjo do të thotë që ne kemi mundësi të parandalojmë”, tha ministri i Bujqësisë, Andis Salla.

Një tjetër lajm vjen edhe për bletarët, të cilët, përveç se do të jenë pjesë e skemës kombëtare, për herë të parë do të marrin dhe lekë për njësi prodhimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB