Përmbytje vdekjeprurëse në Spanjë, gruaja rrëmbehet nga rrjedha e ujit dhe mbytet
Avioni presidencial amerikan do të ketë një kombinim të ri ngjyrash, e cila do të përfshijë një nga ngjyrat e preferuara të Presidentit Donald Trump për Shtëpinë e Bardhë dhe hotelet e tij, ngjyrën e artë.
Sipas Forcave Ajrore të SHBA-së, Air Force One dhe avionë të tjerë të përdorur nga zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë Zonjën e Parë Melania Trump, po rilyhen me ngjyra ari, të kuqe dhe blu të errët, ndërsa i nënshtrohen riparimeve dhe mirëmbajtjes së planifikuar.
Ngjyrat e reja do të aplikohen gjithashtu në një avion luksoz Boeing 747-8i, i cili i është dhuruar flotës presidenciale nga Katari, konfirmoi një zëdhënës i Forcave Ajrore për CBS.
Sipas BBC, skema tradicionale me ngjyrë të bardhë, blu dhe blu të çelët, e lidhur historikisht me avionin presidencial, është në përdorim që nga vitet 1960, kur president ishte John F. Kennedy.
Trump ka kërkuar përditësime të flotës ekzekutive që nga mandati i tij i parë. Pasardhësi i tij, ish-presidenti Joe Biden, anuloi një ndryshim të gjerë që Trump kishte planifikuar fillimisht.
Ngjyrat e reja janë vënë re tashmë në modelet e avionëve të ekspozuar në Shtëpinë e Bardhë, ku Trump po lë gjurmën e tij, nga planet për një sallë të re vallëzimi deri te instalimi i tabelave me ngjyrë ari.
Avioni privat me të cilin Trump udhëtoi gjatë fushatës së vitit 2024, i njohur shpesh si “Trump Force One”, përdorte të njëjtën gamë ngjyrash që pritet të aplikohet edhe në flotën presidenciale.
Megjithëse nuk është bërë e ditur kostoja e punimeve të lyerjes, Forcat Ajrore të SHBA-së deklaruan për BBC-në se kërkesat e reja për ngjyrat “nuk pritet të sjellin vonesa apo kosto shtesë për programin”.
Sipas deklaratës, skema e re e ngjyrave po zbatohet në avionin Boeing VC-25B (variant i Boeing 747), që përdoret për transportin e presidentit, si dhe në katër avionë C-32, të cilët përdoren shpesh si “Air Force Two” për zëvendëspresidentin, ndërsa lyerja e njërit prej avionëve C-32 tashmë ka përfunduar.
Përgatitjet nisën verën e kaluar për ripajisjen e avionit gjigant të dhuruar nga Katari, i cili pritet të shërbejë si Air Force One. Avioni Boeing, me vlerë rreth 400 milionë dollarë (300 milionë paund), u dhurua si një dhuratë “e pakushtëzuar”, ndërsa kostot e nevojshme për përshtatjen e tij do të mbulohen nga qeveria amerikane.
Edhe pse çdo avion në të cilin udhëton presidenti mban thirrjen “Air Force One”, zakonisht përdoret një avion i specializuar që përfshin zyrë, dhomë gjumi, dy kuzhina me kapacitet për përgatitjen e deri në 100 vakteve, hapësira pune dhe një strukturë mjekësore, sipas kompanisë Boeing.
Top Channel