Aksident me vdekje në Lezhë/ Makina përplas për vdekje këmbësorin, arrestohet drejtuesi i automjetit
Gjykata e Brukselit dënoi të hënën në mbrëmje bosin e mafias Franc Çopja me 25 vjet burg për vrasjen e Ardit Spahiut më 27 nëntor 2020 në Molenbeek. Sipas gjykatës, Çopja e ka urdhëruar vrasjen nga Dubai.
Porositësi i dytë, Mikael Qosja, u dënua me burgim të përjetshëm për përfshirjen e tij. Gjykata vendosi se nuk kishte rrethana lehtësuese.
Edhe Flobenc Meçja, si ekzekutues i vrasjes, u dënua me burgim të përjetshëm.
Po ashtu, Elton Roçi u dënua me 20 vjet burg, Elvis Murataj me 8 vjet burg dhe Eljo Bitri me 5 vjet burg. Ky i fundit ka bashkëpunuar me drejtësinë që nga nëntori 2023 dhe që prej asaj kohe është dëshmitar i mbrojtur. Sipas gjykatës, dënimi i tij më i lehtë lidhet me pranimin e fajit, pendesën, “vullnetin për të hapur një faqe të re” dhe me rrëfimet e dhëna gjatë hetimit “pavarësisht rreziqeve të mëdha”.
Gjykata i shpalli ata fajtorë si autorë ose bashkautorë të vrasjes së 38-vjeçarit Spahiu. Ai ishte arratisur në Belgjikë në vitin 2019, pasi në vendlindjen e tij, Shqipëri, kishte frikë për sigurinë e vet.
Në Shqipëri ishin porositur vrasje mes grupeve të Çopjes dhe atij rreth familjes Alibej. Të dy klanet përmenden në hetime për trafik në shkallë të gjerë të kokainës.
Më 27 nëntor 2020, Ardit Spahiu u largua nga një lokal në rrugën Condorlaan në Molenbeek të Belgjikës. Teksa po dilte jashtë, ai u qëllua nga një person që zbriti nga një makinë. Spahiu u qëllua nëntë herë dhe ndërroi jetë në vend.
Në qershor 2021, pas zbërthimit të mesazheve Sky ECC, hetuesit arritën të identifikonin disa nga protagonistët e vrasjes. Çopja u ekstradua në Belgjikë nga Emiratet e Bashkuara Arabe në dhjetor 2023.
Top Channel