Peticion për nxënësit/ Siguria dhe mirëqenia, nisma e një sociologeje firmoset nga 600 prindër

17/02/2026 19:47

“Siguria dhe mirëqenia në arsimin bazë”, është peticioni i iniciuar nga sociologia Marsi Simo, e cila është prind i një djali që ndjek arsimin fillor.

Nisur nga përvoja personale, ka hartuar një sërë kërkesash në rang kombëtar që shkolla t’u përgjigjet nevojave emocionale, akademike, sociale dhe fizike të nxënësve. Të shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve, peticionin e kanë nënshkruar elektronikisht rreth 600 prindër.

“Siguria në shkolla, kjo është pika e parë e këtij peticioni. Që do të thotë kontrolle më të rrepta për sa i përket fëmijëve që nga cikli bazë. Ne si prindër do të ndiheshim më të sigurt, por nuk është vetëm çështje fizike. Sigurisht, kur flasim për siguri, flasim edhe për bullizëm, që do të thotë më tepër praktika, aktivitete, trajnime më të mirëfillta nga mësuesit, por edhe nga specialistët siç është edhe psikologu. Të mos arrijnë deri në fazën e rehabilitimit nga bullizmi, por në kushte parandalimi”, u shpreh sociologia Marsi Simo.

Me në fokus arsimin bazë, peticioni synon të sjellë ndryshim në ngarkesat mësimore të nxënësve, që të kombinohet edhe me kohë për lojëra dhe aktivitete sociale, duke kërkuar zgjatjen e orarit mësimor brenda mjediseve mësimore.

“Ajo që ne si prindër duam përmes këtij peticioni, duke ia adresuar Ministrisë së Arsimit, është edhe fakti i cilësisë së arsimit për sa i përket disa lëndëve. Edhe pse mund të quhen lëndë të djathta ose dytësore, janë lëndë kryesore për shoqërinë dhe kohën ku jetojmë, siç është pjesa e artit, sportit, por edhe lëndë që kanë të bëjnë me edukimin dhe formësimin, sidomos në ciklin fillor. Këto lëndë që unë përmenda nuk është se realizohen me efektivitet. Këta fëmijë nuk janë në gjendje të marrin aftësi si të menaxhojnë emocionet, si të komunikojnë dhe si të zbatojnë rregullat”, u shpreh sociologia.

Peticioni vë theksin edhe në mbështetjen e fëmijëve me aftësi të veçanta gjatë gjithë procesit mësimor, për të mundësuar arsimin cilësor gjithëpërfshirës. Teksa fton familjet shqiptare t’i bashkohen nismës, Marsi Simo planifikon hapin e radhës, dorëzimin e firmave në Ministrinë e Arsimit dhe marrjen e masave konkrete.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB