Gjermania i kërkon Francës rritje shpenzimesh ushtarake, shtohen tensionet për sigurinë europiane

17/02/2026 11:26

Gjermania i ka bërë thirrje Francës të rrisë ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen, duke theksuar se vetëm një angazhim real financiar mund ta kthejë në realitet synimin për vetë-mjaftueshmëri strategjike europiane.

Deputeti konservator, Johann Wadephul deklaroi se retorika për sovranitet europian duhet të shoqërohet me hapa konkretë, duke iu referuar shpesh deklaratave të presidentit Emmanuel Macron mbi këtë vizion.

Sipas tij, klima e pasigurisë në kontinent po rritet, ndërsa vendet europiane ndihen nën presion të forcojnë kapacitetet e tyre ushtarake mes pikëpyetjeve për rolin e NATO dhe gatishmërinë e Shtetet e Bashkuara për të garantuar mbrojtje të plotë në çdo skenar krize.

Wadephul kritikoi ritmin e ngadaltë të rritjes së buxheteve ushtarake, duke nënvizuar se përpjekjet franceze deri tani mbeten nën pritshmëri.

Debati zhvillohet në një moment ndjeshmërie në boshtin tradicional franko-gjerman. Kancelari Friedrich Merz paralajmëroi së fundmi për rreziku që paraqet Rusia për sigurinë e kontinentit dhe kërkoi forcim të besimit transatlantik.

Ai konfirmoi gjithashtu se Berlini ka zhvilluar bisedime fillestare me Parisin për mundësinë e përfshirjes nën ombrellën bërthamore franceze.

Brenda politikës gjermane, megjithatë, qëndrimet mbeten të ndara. Zëvendëskancelari Lars Klingbeil ritheksoi se vendi do të vazhdojë të mbështetet te parandalimi bërthamor i NATO-s dhe nuk ka plane për armë atomike. Ndërsa Armin Laschet paralajmëroi se diskutimet për alternativa europiane mund të perceptohen në Uashington si largim nga mbrojtja amerikane.

Edhe në parlamentin federal Bundestag, kryetari i komisionit të mbrojtjes Thomas Röwekamp kërkoi më shumë përgjegjësi europiane në siguri, por pa zëvendësuar garancitë e SHBA-së, duke propozuar një komponent europian plotësues brenda aleancës.

Në një apel të rrallë publik në The Guardian dhe Die Welt, drejtues ushtarakë të lartë nga Britania e Madhe dhe Gjermania i bënë thirrje shoqërisë të pranojë nevojën për riarmatim dhe përgatitje ndaj rreziqeve të mundshme të konfliktit, sinjal se Europa po hyn në një fazë të re reflektimi strategjik mbi sigurinë e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB