Trump ndërhyn për derdhjen e ujërave të zeza në lumin Potomac, fajëson demokratët

16/02/2026 22:51

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se qeveria federale do të ndërhynte për të mbrojtur lumin Potomac pas një derdhjeje të kohëve të fundit të ujërave të zeza në zonën e Uashingtonit, duke akuzuar zyrtarët demokratë vendorë për keqpërdorim të sistemeve të menaxhimit të mbeturinave.

Sipas Washington Times, më shumë se 200 milionë gallonë ujëra të zeza të papërpunuara kanë kontaminuar lumin Potomac që nga 19 janari. Autoriteti i Ujësjellësit dhe Kanalizimeve të Distriktit të Kolumbias (DC Water) vlerëson se operacionet e pastrimit do të zgjasin të paktën nëntë muaj.

“Po u drejtoj Autoriteteve Federale që të sigurojnë menjëherë menaxhimin, drejtimin dhe koordinimin e nevojshëm për të mbrojtur Potomac, furnizimin me ujë në Rajonin e Kryeqytetit dhe burimet e vlefshme kombëtare në kryeqytetin e vendit tonë”, tha Trump në një postim në platformën Truth Social.

Ai gjithashtu shkroi se Potomac “është në mes të një katastrofe masive ekologjike si rezultat i keqmenaxhimit të rëndë të udhëheqësve demokratë lokalë, veçanërisht Guvernatorit të Merilendit, Wes Moore”. Ai madje thotë se “ky është i njëjti guvernator që nuk mund të rindërtojë një urë”.

“Ndërsa autoritetet shtetërore dhe lokale nuk kanë kërkuar ndihmën e nevojshme emergjente, unë nuk mund të lejoj që ‘udhëheqja’ lokale e paaftë ta kthejë lumin në zemër të Uashingtonit në një zonë katastrofe”, shton diku tjetër Donald Trump.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB