Në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale, ekstradohet 3 shtetas nga Danimarka, Franca dhe Italia
Pushteti ekzekutiv është pushtet i pavarur si gjyqësori, u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të nismës së PS për ndryshimet ligjore.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi se kjo nismë nuk duhet të lidhet me rastin konkret, atë të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Ndër të tjera, ai tha “Askush të mos mendojë se ka në dorë gurin dhe arrën për të goditur këtë shumicë qeverisëse’.
“Po pse vetëm pushteti gjyqësor është i pavarur në Shqipëri dhe të tjerët janë të varur? Jo, Kushtetuta e thotë që ka tre pushtete të pavarura, që janë ekzekutivi dhe legjislativi. Për çfarë jemi të pavarur ne në raport me gjyqësorin dhe ku nuk duhet ta imagjinojë që të mos hyjë në territorin tonë?
Kjo histori e goditjes së burimeve njerëzore dhe administratës së këtij vendi është një histori me të cilën nuk pajtohem dhe me të cilën ne nuk mund të pajtohemi. Kjo nis nga adresimi i boshllëkut mendor të shoqërisë sonë, që lidhet me faktin se për shkak se fryma e Kushtetutës dhe orientimet themelore të Kushtetutës nuk mjaftojnë, praktikat e vendeve që u ngjajmë nuk mjaftojnë, duhet bërë neni me përcaktime, në mënyrë që të mos ketë mundësi interpretimesh në boshllëk; kjo është arsyeja pse e bëjmë. Kush e lidh me rastin konkret e ka gabim.
Rasti konkret s’ka lidhje me pezullimin, por pezullimi është i papranueshëm. Ne do të merremi me pezullimin për ta refuzuar, me vullnetin e shumicës në Kuvend, ndërhyrjen në territorin kushtetues. Askush të mos mendojë se ka në dorë gurin dhe arrën për të goditur këtë shumicë qeverisëse. Po ashtu, të mos mendojë se ka të bëjë me lëkundje të vullnetit tonë për të mbështetur pavarësinë e drejtësisë.
E kemi të pavarur sa një prokuror lëshon 33 masa arresti dhe harron të arrestojë veten e vet. Arbitraritet total. Fatmirësisht nuk jam unë ai që i them këto; unë jam një zë, pasi këto thuhen nga Këshilli i Evropës. Nga raportet e Këshillit Europian, ku Shqipëria, për faqen më të zezë, renditet në fund fare të gjithë kontinentit evropian, rrotë më rrotë me Rusinë për paraburgim pa gjyq të njerëzve, si të ishin mish për top. 58% e njerëzve që janë pas hekurave janë të padënuar; sikur edhe 1 prej tyre të jetë i pafajshëm është problem. Futen në paraburgim dhe harrohen brenda”, u shpreh kryeministri.
Top Channel