Pas investigimit të “Inside Story”, Armand Frangu reagon në Top Channel: Kam 15 vite që sulmohem politikisht

16/02/2026 22:44

Në redaksinë e Top Story është drejtuar Armand Frangu, i cili ka kërkuar përmes një letre zyrtare adresimin e tij, pas emisionit Inside Story për investigimin për institucionin e AKSH-it.

Njëri prej individëve pjesë e atij investigimi, Frangu, në deklaratën drejtuar Top Story pretendon se prej vitesh është sulmuar politikisht nga Partia Demokratike, për shkak të lidhjes familjare me kryeministrin Edi Rama. Ai shprehet se nuk ka marrë asnjëherë fonde përmes tenderave publikë. Në investigimin e Inside Story u përmend se “në vitet 2018-2025, nga kompania “B 360”, e zotëruar nga Armand Frangu, ABS e Gerond Meçes arkëton plot 4,8 milionë euro. Ndërkohë, në krahun e kundërt kanë shkuar vetëm 395 mijë euro”

Deklarata e plotë:

Në datën 11 shkurt është transmetuar në kanalin tuaj, një episod i emisionit Inside Story me titullin “ AKSHI- NDIQ PARATE”. Përgjatë atij episodi, ku interpretoheshin të dhënat e kontratave të kompanive private me AKSHI-n dhe me institucione të tjera shtetërore, është përfolur edhe emri im si dhe emri i kompanisë që kam krijuar prej 15 vitesh.
Dihet botërisht se unë dhe kompania ime janë sulmuar politikisht prej 15 vjetësh, saktësisht nga momenti kur motra e bashkëshortes sime lidhi jetën me Edi Ramën, lider i opozitës në atë kohë.
Qysh prej atij momenti dhe deri më sot, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, nuk ka reshtur së fabrikuari, shpifuri dhe projektuari qëllimet e veta politike mbi mua e kompaninë time, sulme të drejtëpërdrejta dhe të ricikluara vijimësisht përmes portalesh e rrjetesh të angazhuara në amplifikimin e gënjeshtrave të tij. Nënvizoj se nuk jam marrë asnjëherë me politike apo me deklarata përgënjeshtruese dhe sado e pabesueshme të duket nën rrebeshin 15 vjeçar të baltës ku gjendem, nuk kam marrë asnjëherë fonde nga tenderat publik.
Por sidoqoftë kam tentuar ta ballafaqoj të vërtetën time në sallën e gjyqit, ku në vitin 2021 kam paditur për shpifje Jorida Tabakun, në atë kohë nënkryetare e partisë në fjalë dhe në vitin 2025, po për shpifje, Belind Këllëçin, anëtar i kryesisë së po asaj partie. Prej katër vitesh e paditura i fshihet gjykatës sa herë kërkohet të njoftohet për seancat gjyqësore, ndërsa i padituri ka deri më sot si mbrojtje, vetëm shtypin ku amplifikohen shpifjet e shefit të tij. Këtë të fundit, pra vetë zotin Sali, nuk e kam kërkuar në sallën e gjyqit, sepse do të duhej të lija çdo punë tjetër dhe të prisja në pafundësi ballafaqimin me një person publik që e ka fituar me dhunë statusin e shpifësit të pandëshkueshëm.
Lidhur me (diz)informacionin e episodit të “Inside Story”, saktësoj me përgjegjësi morale dhe ligjore, se në të gjithë ekzistencën e saj 15 vjeçare aktiviteti i kompanisë sime B360 është tërësisht i dedikuar në tregun privat dhe nuk ka patur apo ka marrëdhënie financiare me institucionet publike për tendera publik.
Nga ana tjetër, është lehtësisht e verifikueshme nga të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit, se norma e fitimit neto që B360 përfton nga aktiviteti i saj është nga më të ulëtat në tregun e shërbimeve IT, çka konfirmon plotësisht filozofinë e kompanisë sime, e cila bazohet në shtyllat e korrektësisë ligjore, cilësisë profesionale dhe aftësisë konkurruese.
Sa më lart unë i mbështes në fakte e shifra të dokumentuara dhe i ftoj autorët e episodit të “Inside Story”, të vijnë në zyrat e B360 ku do të kenë në dispozicion çdo informacion financiar-juridik-tregtar që ata do të duan të hulumtojnë. Dhe vetëm pas këtij hulumtimi nga ana e tyre, besoj më lind e drejta si një qytetar që në 33 vitet e punës së tij ka kryer me ndershmëri detyrat e veta ndaj familjes e shoqërisë dhe si një sipërmarrës që respektin e ligjit e ka pasur gjithnjë busull në çdo hap të aktivitetit sipërmarrës, të kërkoj heqjen e emrit tim e të kompanisë sime nga çdo publikim online i atij episodi. N Duke ju falenderuar paraprakisht, lutem të respektoni edhe të drejtën time të përgënjeshtrimit, duke ia përcjellë sa më parë publikut tuaj këtë letër, në rrugën që ju do ta gjykoni më të përshtatshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB