NEWBORN-i i Pavarësisë rrethohet me hekura, reagim ndaj Gjykatës Speciale të Hagës: Kosova e burgosur

16/02/2026 21:32

Monumenti ikonik “NEWBORN”, simbol i 17 Shkurtit dhe i shtetësisë së Kosovës, ka marrë një pamje krejt tjetër në prag të përvjetorit të Pavarësisë.

Pas përfundimit të ngjyrosjes, aktivistët e platformës “Liria ka emër” e kanë rrethuar simbolikisht monumentin me hekura burgu, duke e transformuar ikonën e lirisë në një imazh që përcjell mesazhin: “Kosova e burgosur”.

Në rrethojat e vendosura rreth monumentit figuron edhe logoja e Dhomave të Specializuara, duke e lidhur drejtpërdrejt aksionin me proceset gjyqësore në Hagë.

Eliza Hoxha, përfaqësuese e platformës “Liria ka emër”, e cilësoi këtë instalacion si një reagim qytetar ndaj asaj që ajo e quajti “padrejtësi historike” që prek themelet e shtetit. Sipas Hoxhës, burgosja simbolike e NEWBORN-it pasqyron indinjatën e qytetarëve përballë gjykimeve në Dhomat e Specializuara, ku po gjykohet historia e luftës për liri dhe vetë procesi i shtetformimit.

Ky aksion vjen në kohën kur ish-krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim në Hagë prej pesë vitesh. Në mesin e të akuzuarve janë Hashim Thaçi – ish-presidenti dhe kryeministri që lexoi Deklaratën e Pavarësisë, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, të gjithë figura kyçe të rezistencës dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB