“Janë kthyer në shënjestra nga prokurorët për të mbushur CV-në e tyre”/ Rama: S’mund të arrestosh pa lidhje një punonjëse administrate me kancer

16/02/2026 10:34

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS në Kryesinë e Kuvendit, Edi Rama nuk i kurseu kritikat për prokurorët.

Ai u ndal te arrestimi i punonjësve të administratës, duke thënë se prokurorët e bëjnë këtë vetëm për të mbushur CV-në e tyre që të paraqiten si kandidat të ardhshëm për Prokurorinë Speciale.

“Punonjësit e administratës nuk janë mish për top të askujt. Punonjësit e administratës nuk janë shënjestra për të mbushur prokuroret CV-në e tyre që paraqiten nesër si kandidat të ardhshëm për Prokurorinë Speciale.

Është bërë e pa tolerueshme ajo që ndodh në prokuroritë e rretheve me fletët e arresteve që shpërndahen si të ishin ftesa për dasmë. Një punonjëse e administratës model që ka 5 vjet që lufton me kancerin, që është me një fëmijë dy muajsh nuk mund të arrestohet pa pasur asnjë lidhje fare, vetëm sepse institucioni prezumohet se ka një lidhje me temën. Çfarë janë këto, ku jemi ne këtu?

Dhe një gjë shumë e saktë dhe shumë interesante që e kam dëgjuar nga grupi i punës që po punon me Ministrinë e Drejtësisë së Italisë dhe të Francës për reflektimin mbi shumë nga këto çështje që kanë të bëjnë me lirinë, ishte ndërhyrja në diskutim e një profesoreje të së drejtës penale franceze që punon me ne, e cila pasi mori pjesë në disa diskutime na tha një gjë që është për ta mbajtur vath ne vesh të gjithë. “Në shkrimin e Kodit Penal demokracitë udhëhiqen nga liria, diktaturat udhëhiqen nga heqja e lirisë dhe problemi kryesor që ju keni”, – tha duke dëgjuar gjithë diskutimet tona, “është se ju jeni akoma në mentalitetin që kodi penal bëhet për të hequr lirinë. Kodi penal nuk bëhet për të hequr lirinë, kodi penal bëhet për të garantuar lirinë”.

Që do të thotë që heqja e lirisë është ekstremi i domosdoshëm për të ruajtur balancat e shoqërisë, por nuk udhëhiqet shoqëria nga si t’ia heqim liritë njerëzve për çdo gjë dhe në çdo rast dhe kudo ku na jepet mundësia. Kjo janë tema të mëdha të cilat ne do duhet ti përballim sepse janë të pashmangshme në një proces kur ne kemi vetëm 35 vjet që jemi të lirë dhe s’kemi asnjë vit akoma që jemi në një sistem demokratik të konsoliduar, me një shtet të së drejtës që i garanton të gjitha këto dhe që s’ka nevojë fare as t’i bëjmë debat dhe me një sistem drejtësie të pavarur prej vetëm 10 vitesh në letër dhe prej vetëm 5 vitesh në realitet”, u shpreh Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB