“Bën terror brenda kampit”/ Gazetari tregon në “Top Story” emrin e shqiptares që pengon riatdhesimet nga Siria
Eva Dumani u largua nga Shqipëria nga i ati që fëmijë, në moshën 8 vjeçare dhe sot, pas 12 vitesh u rikthye 20 vjeçe në Atdhe pasi qëndroi në kampet e Sirisë.
Në 2020 mundi të atdhesohej vëllai i Evës, Endri. Përpjekjet e dajës për të rikthyer mbesën e tij në atdhe, pasi i ati humbi jetën, u përmbushën vetëm 6 vite pas rikthimit të Endrit.
Xhetan Ndregjoni ia kishte dalë ta kalonte Evën ilegalisht në Turqi dhe duhet të kalonte edhe pengesën e fundit, që policia turke të mos e konsideronte këtë akt kriminal dhe ta lejonte të vinte në Shqipëri.
Ambasadorja e Shqipërisë në Turqi, Blerta Kadzadej në një lidhje live në ‘Top Story’ ka rrëfyer të gjithë procesin e riatdhesimit të Evës nga Siria. Ambasadorja ka treguar për herë të parë se vetë Rama dhe Erdogan kanë pasur një vëmendje dhe interes personal për historinë e Evës.
“Kur merret njoftimi që një shtetas shqiptar ka hyrë në mënyrë të paligjshme në Turqi, duhen zbatuar të gjitha protokollet, përfshirë atë të riatdhesimit. Bëhet fjalë për kalim kufiri në mënyrë të paligjshme. Unë dua të them që për këtë rikthim, riatdhesim të Evës, përpos gjithë përpjekjeve diplomatike dhe bashkëpunimit, ka pasur një vëmendje dhe një interesim personal të Ramës dhe Erdoganit. Sepse për herë të parë morëm një njoftim nga një vajzë e rrëmbyer në moshën 8-vjeçare. Kemi qenë dëshmitarë edhe për vëllain e Evës, të cilin e kemi nxjerrë nga ferri.
Unë besoj që autoritetet shqiptare kanë të dhëna për një numër të caktuar shqiptarësh që janë ende në Siri. Nuk e di numrin e saktë, është policia dhe drejtoria e antiterrorit e përfshirë. Por unë do të thoja që, në rast se këta shtetas që kanë mbetur atje duan të kthehen në Shqipëri, duhet që familjarët e tyre të kontaktojnë me autoritetet shqiptare.
Nuk e takova vetë Evën, sepse ishte 500 km larg Ankarasë dhe, për arsye të kompleksitetit të këtij procesi, nuk mund ta takonim qoftë edhe për një foto”, u shpreh Blerta Kadzadej.
Top Channel