Barcelona e mban vendin e saj në kalendarin e Formula 1 deri në 2032 edhe pse do të alternohet, ndërkohë që pjesë e këtij kampionati do të jetë edhe Çmimi i Madh i Madridit(deri në 2035).

Kjo është marrëveshja e re e nënshkruar sipas së cilës pista e Montmelo do të presë Botërorin e Formula 1 në vitet 2028, 2030 dhe 2032.

Pista katalanase në alternimin e saj do të marrë vendin që do të lërë pista e Spa në Belgjikë që do të presë garat në 2027, 2029 dhe 2031. Pas muajsh të tërë bisedimesh dhe negociatash me Stefano Domenicali dhe ekipin e tij, u arrit më në fund akordi i ri për pistën e Montmelo që ka pritur një garë të Formula 1 pa ndërprerje që nga viti 1991. Edhe pse vitin tjetër, pas 36 sezonesh kjo gjë do të ndërpritet, përsëri kjo marrëveshje e re për pistën e Barcelonës është një arritje e rëndësishme pasi siguroi praninë në këtë kampionat për një afat të mesëm  duke parë se kalendari po bëhet gjithnjë e më i ngjeshur dhe i kufizuar nga rregullorja në 24 gara.

Kështu Gadishulli Iberik do të shndërrohet në një atraksion global të Formula 1 në vitet në vazhdim. Në 2027 do të jenë 2 gara në kalendar, Madridi dhe Portimao, dhe në 2028 do të jenë 3 duke parë edhe konfirmimin e pistës së Barcelonës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB