Stuhitë dhe përmbytjet masive në Portugali, shkon në 16 numri i viktimave nga moti i keq, një çift i moshuarish të zhdukur prej 5 ditësh

15/02/2026 21:22

Stuhitë e njëpasnjëshme që kanë përfshirë brigjet e Europës Perëndimore ditët e fundit kanë shkaktuar shkatërrime të pallogaritshme dhe humbje njerëzore.

Në Portugali, numri i të vdekurve ka arritur në 16, ndërsa një çift të moshuarish është zhdukur në Montemor-o-Velho që nga 10 shkurti.

Çifti, 68 dhe 65 vjeç, jetonin në Verride dhe kishin shkuar në Coimbra për një takim. Sipas një postimi nga vajza e tyre në rrjetet sociale, ata po udhëtonin me një Citroën të gjelbër dhe nuk u kthyen më në shtëpinë e tyre. Siç raportoi ajo, nuk kishte pasur kontakt për dy ditë me ta.

Rrjeti portugez SIC Notícias raportoi se versioni mbizotërues e lidh zhdukjen me përmbytjet. Megjithatë, komandanti i Mbrojtjes Civile, Mário Silvestre, tha në një konferencë për shtyp se nuk kishte informacione specifike rreth shkaqeve të zhdukjes. Kërkimi, i cili filloi të premten, vazhdon me ndihmën e një helikopteri, zjarrfikësve dhe njësive ushtarake, duke u përqendruar në Vinha da Rainha në Luginën Mondego.

Portugalia u godit nga një sërë stuhish, Ingrid, Joseph, Kristin, Leonardo dhe Marta. Kristin ishte më e forta e regjistruar ndonjëherë në vend, me erëra që tejkalonin 200 km/orë dhe reshje të dendura shiu.

Shkatërrime të infrastrukturës, ndërprerje të energjisë elektrike dhe komunikimit, si dhe mijëra njerëz të zhvendosur janë raportuar që nga janari. Autostrada kryesore që lidh Lisbonën me Porton u ndërpre në rajonin e Coimbras për shkak të një rrëshqitjeje dheu.

Në total, 68 komuna mbetën në gjendje katastrofe që nga 15 shkurti, me rajonet e Leiria, Coimbra dhe Alcácer do Sal që ishin më të prekurat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB