Në Siri të vetmuar Eva dhe Endri Dumani pas vdekjes së gjyshes, mesazhi zanor prekës për dajën Xhetan

15/02/2026 22:02

Pasi Shkëlzën Dumani mori me vetë në Siri dy fëmijët Even dhe Endrin disa kohë me pas shkoi edhe gjyshja e tyre Mendije Dumani.

Mbërriti atje për mos tu kthyer më në Shqipëri, me shpresën se do t’i rikthente nipin dhe mbesën në atdhe.

U kujdes për Evën dhe Endrin mes shumë vuajtjeve në kampin Al Hol kur ndërroi jetë më 3 Shtator 2020.

Top Channel risjell lajmin e asaj kohe të gazetarit Muhamed Veliu përmes të cilit publikoi një mesazh zanor të Evës dërguar dajës Xhetan Ndregjoni për vdekjen e gjyshes.

Lajmi 8 Shtator 2020

Eva dhe Endri Dumani, dy prej 80 fëmijëve dhe grave të mbetur në kampin Al Hol në Siri, nuk e kanë më atë që e cilësonin si engjëllin mbrojtës.

Gjyshja e tyre Mendije Dumani që kujdesej për ta, ka ndërruar jetë pak ditë më parë, duke i lënë motër e vëlla, tashmë në vetmi të plotë për tu përballur të vetëm me vështirësitë në atë kamp. Një shqiptar në Siri që në Facebook shfaqet me emrin Amar El Albani përmes një statusi në Facebook ka treguar momentet e fundit të Mendije Dumani e cila shkoi në Siri për të shpëtuar Evën sot 14 vjeçe dhe Endrin 12, por nuk ia doli.

“Gjendja e saj ishte përkeqësuar edhe më shumë dhe ata (kurdët) nuk kishin asnjë shqetësim për ta hedhur atë në tokë pranë pazarit duke i thirrur motrat “merreni motrën tuaj. Askush nuk e dinte në fillim se kush ishte, ose ku ishte çadra e saj derisa një motër e njohu dhe na informoi se ajo ishte motër shqiptare”.

Eva është ajo e cila sa herë mundet të gjej një telefon celular dërgon mesazhe zanorë dhe tekste nënës dhe dajës, përmes të cilave në mënyrë konstante kërkon të dijë se çfarë është duke bërë shteti shqiptarë për ti riatdhesuar.

“Çfarë thuhet për ne atje në Shqipëri? A do të na marrin apo shteti s’ka reaguar fare?”. Këto janë vetëm disa prej mesazheve në një kohë kur kanë mbetur vetëm dhe maksimalisht të rrezikuar në Al-Hol cilësuar si laborator i ISIS, nën kontrollin e ushtrisë kurde.

Ky është mesazhi më i fundit zanor i Evës që disponohet nga Top Channel.

Eva: “Alo daja Xhetan ne rrimë me gjithë shqiptarët ku janë gjithë shqiptarët jemi edhe ne. Për ne mos u bëni merak. Ne jemi shumë shumë mirë, ama nuk mundemi me fol përditë se nuk i kemi mundësitë me fol përditë….mos u bëni merak….mos u bëni merak, Endri është shumë mirë. Është mërzit pak për nënën ama ne mirë jemi”.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB