Ruajtja e kostumit tradicional shqiptar mbetet një nga sfidat më të mëdha të trashëgimisë kulturore, në një kohë kur tregu po mbushet gjithnjë e më shumë me imitime që humbasin lidhjen me identitetin krahinor.
Mes artizanëve që përpiqen të ruajnë autenticitetin dhe vlerën e vërtetë të kësaj pasurie është edhe Lizeta, qëndistare në Gjirokastër, e cila prej vitesh punon për të mbajtur gjallë traditën e kostumit popullor.
“Për hir të së vërtetës, më vjen shumë keq që sot ka shumë prodhime që nuk kanë fare lidhje me një kostum popullor. Shpesh, ai që vjen për ta blerë nuk e ka idenë se çfarë po blen dhe çfarë përfaqëson ai produkt. Rëndom, duhet pranuar se në shumicën e rasteve kostumet nuk janë ato që duhet të jenë. Pikërisht për këtë arsye marr konsulta të herëpashershme me Stavri Catin, Afërdita Jonuzin dhe etnografë të tjerë që janë ende të lidhur ngushtë me trashëgiminë kulturore, për të mos dëmtuar këtë pasuri që ne kemi”, shprehet Lizeta Kotroci Hatika.
Jugu i Shqipërisë përfshin disa zona të dallueshme etnografike, secila me tiparet, ngjyrat dhe elementët e saj karakteristikë të veshjes tradicionale.
Çdo zonë ka kostumin e vet, të ndërtuar mbi rregulla të qarta dhe të trashëguara ndër breza, që e bëjnë atë lehtësisht të dallueshëm nga të tjerët. Humbja apo deformimi i këtyre elementëve rrezikon të zbehë jo vetëm identitetin e një kostumi, por edhe vetë pasurinë kulturore të një zone të tërë.
Pikërisht për këtë arsye, ruajtja e autenticitetit të kostumeve popullore mbetet një domosdoshmëri, në mënyrë që çdo krahinë të vijojë të flasë përmes veshjes së saj, ashtu siç e ka bërë ndër shekuj.
Top Channel