“Marr një copë baltë, krijoj diçka dhe më del krejt natyrshëm”, tregon Joanna Labi.
Joanna Labi është në mesin e 11 studentëve të masterit në Programin e Qeramikës në Fakultetin e Arteve të Bukura që ekspozuan punimet e tyre në Galerinë Fab. Ajo prezantoi krijimet e stilit bashkëkohor, si kjo nudo që është ende në proces punimi.
“Është një proces pune shumë i bukur që të jep jetë, frymëzim, pjesë e flokëve është bërë në formë lulesh. Lulja simbolizon frymën e jetës, dashurinë, pranverën”, u shpreh Joanna Labi.
E konceptuar si laborator, ekspozitë zhvilluese, workshop dhe ndërhyrje artistike “1 Material” ishte një ndërthurje mes materies dhe elementëve që lidhen me bashkohësinë.
“Duket si vendi i punës, buka që ata kanë nëpërmjet materies, nëpërmjet laboratorit, furrave, materiales dhe raportit që kanë veprat e tyre në hapësirë. Duket sikur je në studio e skulpturës dhe gjithashtu duket sikur studio e skulpturës kanë ardhur në galeri, duke e sjellë në frymë bashkëkohore nëpërmjet instilacioneve”, tha kuratori i ekspozitës, Ardian Isufi.
Kjo ekspozitë që u dha mundësi studentëve të kenë kontaktet e para me publikun, i ndihmon ata të njihen edhe me kërkesën e klientelës.
“Atelieja e qeramikës ka një eksperiencë të mirë sepse kompani të ndryshme që merren me skulpturën i kanë punësuar. Por, ka dhe individë, që janë të paktë në numër, që kanë krijuar aktivitetet e tyre personale me qeramikën. Aktualisht ka një trend pozitiv edhe sa i takon pritshmërisë që ka publiku dhe që mund të jetë një klientelë e mundshme më vonë”, u shpreh skulptori dhe dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura Prof. Sadik Spahija
Për studentët, mbetet sfidë vijimi i profesionit dhe përfshirja në tregun e punës pas përfundimit e studimeve akademike.
Top Channel