Nis rënia e kurbës së infektimeve të qytetarëve me virusin e gripit, ku tanimë edhe Instituti i Shëndetit Publik e deklaron se, përveç dy nën-tipeve të virusit A: H1 dhe H3, ka qarkulluar edhe nënvarianti K, i cili karakterizohet nga simptoma disi më të rënda dhe me infektueshmëri të lartë.
Ekspertët e shëndetit publik thonë se piku i qarkullimit ka kaluar, ndonëse ka ende qarkullim dhe jo vetëm të gripit.
Ekspert i shëndetit publik, Artan Simaku shprehet: “Nuk jemi më në pikun e qarkullimit. Ka një rënie të kurbës, pasi nga 18 500 raste që u raportuan një javë më parë, këtë javë u raportuan 15 900”.
Në vendin tonë, përveç gripit, është duke qarkulluar edhe Covid, virusi respirator sinsicial tek foshnjat dhe viroza të tjera. Edhe në spitale ka një rënie të numrit të pacientëve që duhet të shtrohen.
Ekspertët kërkojnë që qytetarët të vazhdojnë të tregojnë kujdes, pasi ndonëse janë raportuar më pak raste me grip, Covidi, RSV dhe viroza të tjera janë duke bashkëqarkulluar dhe situata mund të vijojë kështu deri në mes të muajit mars.
Top Channel