Flet për Top Channel daja hero/ Xhetan Ndregjoni, 12 vite në kërkim të mbesës: Çfarë më tha Eva kur mbërriti nga Siria në Turqi

14/02/2026 16:13

Xhetan Ndregjoni nuk i ndali asnjëherë përpjekjet për të sjellë nga Siria mbesën e tij, Eva.

Për plot 12 vite, me mënyrat më të ndryshme, ai tentoi e tentoi shumë herë t’i sillte të motrës të bijën, të cilën bashkëshorti, përmes mashtrimit, ia mori duke shkuar në Siri e duke iu bashkuar Shtetit Islamik.

Nuk kanë munguar rastet kur atë e kanë mashtruar me premtime false për ta kthyer Evën.

Në një intervistë telefonike me gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu, nga Stambolli, Xhetan Ndregjoni ka treguar vuajtjet e fundit të këtij kapitulli 12-vjeçar.

“Kemi kaluar 48 orë të vështira pasi Eva mbërriti në kufirin turk me Sirinë. Autoritetet turke të sigurisë e kanë intervistuar Evën për disa orë, por më në fund, me ndihmën e autoriteteve shqiptare, ajo mbërriti paraditen e sotme në shtëpi”, tha ai.

“Ne i mirëkuptuam në shqetësimin e tyre, pasi e dinim se në çfarë rrethanash vinte Eva.”

Xhetani tregon momentin kur, pas 12 vitesh, takoi mbesën.

“Mu hodh në qafë e vetëm thoshte: daja, daja… nisi të qante. Ishte e frikësuar, pasi ishte rrethuar me njerëz të panjohur, të cilët e sollën nga një rrugë e gjatë prej Sirisë në kufirin me Turqinë.

Nuk munda ta besoja se ajo mbërriti. Hera e fundit kur e kisha parë ishte 8 vjeçe. Ajo sot është 20 vjeçe. I dridhej zëri kur më përqafoi. Deri në atë moment ia kisha dëgjuar zërin vetëm nga mesazhet zanore që na dërgonte. E gjitha ishte e pabesueshme, pasi në të shkuarën shumë herë na ishte premtuar se do ta sillnin Evën, por nuk ndodhi.”

I jam mirënjohës shumë njerëzve të përfshirë në sjelljen e Evës në shtëpi.”

Xhetani thotë se, pasi të çmallet me nënën e saj, të motrën e tij, ai dëshiron që Eva, njësoj si fëmijët e tij, të vijojë jetën e rrethuar me dashuri, bashkë me të vëllain Endrin.

Ndërsa, në një mesazh në rrjetet sociale, ai thotë: “Eva, sot erdhi pranë familjes!

Mirënjohje të pafundme për çdo njeri që besoi tek Eva dhe për çdo njeri që ndihmoi që Eva të jetë sot pranë familjes! Faleminderit! Faleminderit!”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB