Atalanta e Berat Gjimshitit konfirmon momentin e shkëlqyer të saj në kampionat. Skuadra bergamaske ku aktivizohet kapiteni i kombëtares shqiptare iu imponua lazios duke e mundur në Olimpico me rezultatin 2-0 në një sfidë që është edhe si një antipastë për sfidën e dyfishtë në gjysmëfinale të Kupës së Italisë.

Në një Olimpico të boshatisur, pasi vijon kontestimi i tifozëve lazialë, Atalanta arriti ta zhbllokojë rezultatin vetëm në minutën e 41 me një penallti të ekzekutuar saktë nga Ederson me brazilianin që shënoi golin e tij të parë në Serie A.

Në fillimin e pjesës së dytë, ishte Lazio që kërkoi një penallti për prekje të topit me dorë të Zappacosta, por arbitri i ndeshjes, pas një kontrolli të gjatë në VAR sinjalizoi një pozicion jashtë loje të Tavares në fillim të aksionit. Noslin vuri në punë Carnesecchi me gjuajtjen e tij përpara se Atalanta të shënonte edhe golin e dytë me Zalewskin.

Ai që i prishi mbrëmjen Palladinos ishte Raspadori që shfaqi një problem në kofshë duke e lënë fushën e lojës dhe duke detyruar Atalantën që të luante me 10 futbollistë duke qenë se i kishte kryer të gjitha zëvendësimet. Gjithsesi Atalanta ia doli të fitojë këtë ndeshje 2-0 duke shkuar në 42 pikë dhe duke parakaluar Comon në klasifikim me këtë të fundit që ka ndeshjen me Milanin për të luajtur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB