Sistemi VAR në futboll, Rosetti: Po punojmë për uniformitet në interpretim…

13/02/2026 20:32

Në fund të sezonit mund të ketë ndryshime përsa i përket përdorimit të sistemit VAR. Shefi i Arbitrave në UEFA, Roberto Rosetti e pohoi këtë teksa tha se VAR nuk mund të shkojë në drejtimin për të ndërhyre në të gjitha vendimet mikroskopike dhe se në fund të sezonit do të mbahet një mbledhje ku do të merren vendime për ndryshime të mundshme.

Ish arbitri italian foli këtë të premte në Kongresin e UEFA në Bruksel teksa analizoi gjendjen aktuale të sistemit VAR

‘Në fund të sezonit do të flasim për këtë, sepse nuk mund të shkojmë në drejtimin e ndërhyrjeve mikroskopike nga ana e VAR. Na pëlqen futbolli siç është-tha Rosetti që gjithsesi e mbrojti përdorimin e teknologjisë-por as nuk mund të harrojmë se përse ekziston VAR. Është për një lojë më të drejtë, është i mirë për tifozët, për të gjithë botën sepse dëshiron që të merren vendimet e duhura në fushën e lojës, sidomos kur aksionet janë të qarta’

Rosetti theksoi se protokolli i VAR duhet të jetë i njëjti në të gjitha ligat dhe se duhet folur një gjuhë unike e futbollit

‘Nuk mund të ketë gjuhë të ndryshme teknike në Evropë-shtoi Rosetti-nuk është diçka e mire sepse ka skuadra që luajnë në kompeticione evropiane. Jemi në bisedime për këtë dhe përpara sezonit të ardhshëm do të flasim përsëri. Uniformitet dhe interpretimet konsistente, po punojmë për këtë’.

Një nga ndryshimet më të mëdha në VAR mund të bëhetë në 28 shkurt kur pritet që IFAB të miratojë rregullat për rishikimin e goditjeve të këndit dhe kartonave të verdhë nga ana e VAR

‘Është e rëndësishme që të mos vonojmë nisjen e lojës. Nëse diçka vonon, kjo nuk është e mirë për futbolli. Po kështu mund të them se çdo ndryshim i vogël që e përshpejton rifillimin e lojës na pëlqen. Sepse na pëlqen futbolli për intensitetin, emocionet e tij dhe jo për vonesat’-tha Rosetti

Top Channel

DIGITALB DIGITALB