Bad Bunny vendos rekord të ri pas Super Bowl, miliona dëgjime në një ditë në SHBA
Një sulm ajror izraelit vrau një person në një komunitet jugor libanez të enjten, tha Ministria libaneze e Shëndetësisë, ndërsa ushtria izraelite tha se kishte goditur një anëtar të lëvizjes shiite Hezbollah të lidhur me Iranin.
Pavarësisht një armëpushimi që hyri në fuqi në nëntor 2024 dhe që në teori të paktën i dha fund më shumë se një viti armiqësish, përfshirë dy muaj lufte të hapur, midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut, Izraeli vazhdon të nisë sulme ajrore pothuajse çdo ditë në Liban, kryesisht në jug dhe mban trupat e saj në pesë zona të territorit libanez që i konsideron me rëndësi strategjike.
Në një deklaratë, Ministria e Shëndetësisë libaneze tha se një “sulm armik izraelit” në At Tiri, vrau një person.
Ushtria izraelite tha se kishte goditur një “terrorist të Hezbollahut” në zonë.
Në fillim të janarit, ushtria libaneze njoftoi se kishte përfunduar fazën e parë të planit të saj për të çarmatosur Hezbollahun, duke mbuluar zonën në jug të lumit Litani, rreth 30 kilometra nga kufiri me Izraelin.
Qeveria libaneze pritet të mblidhet të hënën për të diskutuar informacionin më të fundit mbi planin e çarmatimit të Hezbollahut, i hartuar nën presionin e SHBA-së.
Izraeli, i cili pretendon se lëvizja shiite po riarmatoset, i ka përshkruar përparimet e ushtrisë libaneze si të pamjaftueshme, ndërsa Hezbollahu, nga ana e tij, refuzon të dorëzojë armët.
Rreth 370 persona janë vrarë në operacionet ushtarake izraelite që kur armëpushimi hyri në fuqi.
Top Channel