Kreu i operatorit global të porteve DP World, Sultan Ahmed bin Sulayem, është larguar nga posti i kryetarit dhe drejtorit ekzekutiv pas rritjes së presionit për lidhjet e tij me financierin amerikan të dënuar për abuzim seksual, Jeffrey Epstein.
Dorëheqja vjen pasi dokumente të publikuara së fundmi zbuluan se Sulayem ka shkëmbyer qindra email-e me Epstein gjatë një periudhe rreth dhjetëvjeçare, që nga viti 2007.
Në një njoftim zyrtar, DP World bëri të ditur se Essa Kazim është emëruar kryetar i ri i kompanisë, ndërsa Yuvraj Narayan do të mbajë postin e drejtorit ekzekutiv.
Sipas analizës së dokumenteve, email-et tregojnë se Sulayem dhe Epstein kishin një marrëdhënie të afërt, duke diskutuar rregullisht për plane udhëtimi, ide biznesi, çështje personale dhe prezantime me figura të njohura ndërkombëtare. Në një mesazh të vitit 2013, Epstein e përshkruante Sulayem si një nga miqtë e tij më të besuar.
Sipas ‘BBC’, publikimi i dokumenteve ka shkaktuar reagime të menjëhershme. Agjencia britanike e financimit për zhvillim dhe fondi kanadez i pensioneve La Caisse njoftuan pezullimin e investimeve të reja në kompani. Gjithashtu, projekti mjedisor Earthshot i Princit të Uellsit u raportua në Komisionin e Bamirësisë në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të financimit të marrë nga DP World.
Në SHBA, kongresmenët Ro Khanna dhe Thomas Massie kërkuan më shumë transparencë mbi dokumentet e publikuara, duke përmendur emrin e Sulayem mes figurave të lidhura me Epstein.
Dokumentet tregojnë gjithashtu se Epstein e kishte prezantuar Sulayem me figura të njohura politike dhe të biznesit, përfshirë ish-kryeministrin izraelit Ehud Barak dhe ish-strategun amerikan Steve Bannon. Po ashtu, emailet sugjerojnë se Epstein kishte ndërmjetësuar komunikime mes Sulayem dhe politikanit britanik Peter Mandelson në lidhje me projekte në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa nuk ka prova për ndonjë shkelje nga ana e Mandelson.
Top Channel