Me punimet e nisura gjatë verës GJKKO është ristrukturuar me salla të reja, përshtatur me stilin amerikan, bazuar nga Gjykata e Kolorados dhe stilit në New York.
Që prej 15 shtatorit në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar çështjet gjykohen në salla të modernizuara, ndërsa tashmë është faza e kompletimit të mobilimit.
Në Agjencinë e Prokurimeve është hapur tenderi mbi kufirin e lartë monetar për mobilimin e 4 sallave gjyqi të GJKKO-së me fond limit deri në gati 300 mijë euro (konkretisht 299,688 euro), procedurë e cila mbyllet më 16 shkurt. Në tender janë të përcaktuara specifikimet teknike ku kërkohet që ofertuesi të zbatojë marrëveshjen e punimeve brenda dy muajve.
Bazuar në një projekt arkitektonik të arkitektes Rajmonda Mydinllari është menduar që veshja e mureve të mos jetë me suvatim por me material dru lisi masiv kryesisht deri në tavan dhe lyerja e paneleve drusor të ketë shkëlqim 30%. Edhe montimi është i përshkruar në detaje se si duhet të jetë, ku kërkohet perfeksion në puthitjen e paneleve me njëri tjetrin. Parketi duhet të shtrohet me moket mbi parket laminat, ku shfaqen disa modele ngjyrash. Ngjyrat e moketit duhet të jenë neutrale ose të errëta dhe të kenë dizajn që ndihmon në maskimin e njollave. Koncepti i modernizimit të sallave e konsideron me rëndësi që moketi të jetë i klasës më të lartë, elegant dhe uniform si dhe të ruajë formën pas ngarkesave të vazhdueshme, me qëndrueshmëri për përdorim në ambiente publike shumë të aksesuara.
Qartësisht kriteret specifikojnë të përdoret po ashtu material dru lisi, konkretisht lis natyral europian, për strukturat e tavolinave të gjykatësve, prokurorve, avokatëve, nënpunësve, gjithashtu edhe për karriget apo podiumin e folësve. Punimi do të jetë me gdhëndje sic propozohet në renderat e projektit, të siguruar nga Top Channel.
Ndryshim do të pësojnë edhe dhomat e këshillimit sipas këtyre pamjeve. Sallat e gjyqit me rimobilimin specifikojnë që materiali drusor nuk duhet të ketë shenja biodegradim apo plasaritje si dhe të jetë rezistent ndaj lagështirës.
Top Channel