“Tentuan të më vrisnin”/ Presidenti kolumbian ngre alarmin: Kishin përgatitur një atentat ndaj meje, do të ndryshoj vendbanim

11/02/2026 07:50

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka denoncuar publikisht një komplot për vrasjen e tij, duke njoftuar se do të ndryshojë vendbanim në ditët në vijim për arsye sigurie.

Në një konferencë për shtyp, Petro deklaroi: “Duhet të pranoj se do të zhvendosem pas dy ditësh, duke u përpjekur të shmang vdekjen.” Ai bëri të ditur gjithashtu se i kishte shpëtuar një atentati të mundshëm një ditë më parë, teksa udhëtonte me helikopter.

Gjatë një mbledhjeje të kabinetit të transmetuar drejtpërdrejt, presidenti shpjegoi se mjeti ajror me të cilin udhëtonte nuk mundi të ulej sipas planit në departamentin e Kordobës, në bregdetin e Karaibeve, për shkak të shqetësimeve serioze të sigurisë.

“Kjo është arsyeja pse nuk munda të shkoja atje mbrëmë; nuk munda të ulesha aty ku duhej. Ata nuk i ndezën dritat. Dhe nuk u ulëm as në mëngjes, sepse kisha frikë se do të qëllonin helikopterin, i cili kishte edhe fëmijët e mi në bord,” u shpreh Petro.

Sipas tij, helikopteri devijoi drejt detit të hapur për rreth katër orë përpara se të mbërrinte në një destinacion tjetër të sigurt. “Nuk arrita aty ku duhej të shkoja”, tha ai.

Deklaratat e presidentit vijnë pas raportimeve për zhdukjen e senatores indigjene Aida Quilcué, e cila dyshohet se është rrëmbyer nga grupe të armatosura lokale. Rrëmbimi ka ndodhur në një rajon të prekur nga konflikti i armatosur dhe kultivimi i kokainës.

Nuk është hera e parë që presidenti, në detyrë që nga viti 2022, paralajmëron për atentate të mundshme ndaj tij nga rrjete të armatosura të lidhura me trafikun e drogës.

Autoritetet kolumbiane nuk kanë dhënë ende detaje të mëtejshme mbi kërcënimet apo mbi hetimet në zhvillim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB