Parlamenti Europian ka miratuar ndryshime të rëndësishme në sistemin e përbashkët të azilit, ndër të cilat edhe krijimi i një liste unike të BE-së për vendet e origjinës që konsiderohen të sigurta.

Në listë është përfshirë edhe Kosova, krahas vendeve si Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia. Sipas rregullave të reja, këto shtete do të trajtohen si vende të sigurta për qytetarët e tyre që paraqesin kërkesë për azil në BE.

Prezumimi i sigurisë supozon se azilkërkuesi nuk ka nevojë për mbrojtje ndërkombëtare. Në një rast të tillë, ka procedurë të përshpejtuar për kërkesat e azilit që shpesh refuzohen si “qartazi të pabaza”.

Nga ana tjetër, barra e provës i kalon azilkërkuesit që duhet të tregojë se, pavarësisht klasifikimit të vendit të origjinës, në rastin e tij ekziston një frikë e bazuar për persekutim ose rrezik real për dëmtim serioz nëse kthehet në atdhe. Po ashtu, vendet kandidate për anëtarësim në BE do të konsiderohen në parim si vende të sigurta origjine, përveç rasteve kur rrethana specifike tregojnë të kundërtën.

Ndryshimet do të hyjnë në fuqi pas miratimit përfundimtar nga Këshilli i BE-së dhe pritet të zbatohen nga qershori i vitit 2026, si pjesë e reformës më të gjerë të politikave europiane për emigracionin dhe azilin.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB