“Është koha të heqim çdo kërcënim”/ Takimi Erdogan-Mitsotakis në Ankara: Çështjet mes nesh janë komplekse, por…
Të paktën 1,417 afrikanë i janë bashkuar ushtrisë ruse në luftën në Ukrainë dhe më shumë se 300 janë vrarë, sipas një raporti nga kolektivi All Eyes on Wagner (AEOW) i publikuar sot, i cili përfshin, për herë të parë, një listë emrash.
AEOW e mori listën përmes programit ukrainas “Dua të jetoj”, i cili regjistron të rënët në anën ruse dhe inkurajon luftëtarët e huaj të dorëzohen. Ai përfshin emrat e 1,417 personave nga 45 vende afrikane që u rekrutuan nga janari 2023 deri në shtator 2025, dhe 316 që u vranë në vijën e frontit. Megjithatë, numrat e vërtetë ka të ngjarë të jenë shumë më të lartë.
“Fenomeni i rekrutimit të qytetarëve afrikanë nuk është një incident i izoluar, por një strategji e qëllimshme dhe e organizuar” teksa Moska “përballet me mungesë të fuqisë punëtore” ndërsa lufta vazhdon, vuri në dukje raporti.
“Na bëri përshtypje sa e lehtë është të gjesh një propozim ose një mjet për t’u larguar nga këto vende afrikane. Duhen vetëm pesë minuta në platformat e mediave sociale”, tha Lou Osborne për AFP-në.
“Rusia po bën përpjekje të mëdha për ta bërë rekrutimin të lehtë për këdo”, shtoi ai.
Kolektivi e bëri publike listën në mënyrë që familjet që nuk kanë dëgjuar nga të dashurit e tyre të mund të informohen për fatin e tyre dhe të organizohen për të kërkuar kthimin e trupave të tyre.
Shumica e afrikanëve që luftojnë përkrah ushtrisë ruse vijnë nga Egjipti me 361 persona, e ndjekur nga Kameruni me 335 dhe Gana me 234. Të paktën 45 kenianë janë vrarë në vijën e frontit.
Mijëra luftëtarë të huaj i janë bashkuar ushtrisë ruse në Ukrainë. Për të rekrutuar burra, Moska fillimisht iu drejtua vendeve me të cilat historikisht ka mbajtur marrëdhënie të ngushta, si Kazakistani, Taxhikistani dhe Kuba. Ukraina gjithashtu ka disa mijëra luftëtarë të huaj në radhët e saj.
Top Channel