Inside Story/ Dosja “AKSHI”, u paguan dhjetëra milionë euro në kontrata sekrete, privatët thuajse jashtë kontrollit

11/02/2026 21:44

Me përqendrimin e procedurave në fushën e IT-së, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, përbën një prej institucioneve me prokurimet me vlerat më të larta.

Referuar të dhënave nga Open Data, vetëm në 4 vitet e fundit, 2022-2025, kjo agjenci ka ekzekutuar pagesa nga thesari në vlerën e 28,8 miliardë lekë ose afro 300 milionë euro.

Kjo vlerë është thuajse sa dyfishi i parave të tenderuara në 1 dekadë, në vitet 2011-2021 nga kjo agjenci. Në atë periudhë, u prokuruan procedura me vlerë 164 milionë euro.

Nëse marrim të ndara në analizë 4 vitet e fundit, rezulton se në 2022-in, u ekzekutuan pagesa nga AKSHI për privatët në vlerë 5,8 miliardë lekë ose rreth 60 milionë euro.

Në vitin 2023 pati një bum duke u ngjitur në plot 10 miliardë lekë ose rreth 100 milionë euro. Në vitin 2024, filloi rënia duke zbritur në rreth 90 milionë euro. Ndërkohë, në 2025-ën kur hetimi për tenderat avancoi, pati një përgjysmim të fluksit duke shkuar në rreth 40 milionë euro.

“Duke qenë se ka pasur synim nga aktorët e mëparshëm për ankimin e çdo tenderi të AKSHI-t, s’është mundur të realizoheshin e janë bllokuar, më shumë se sa frikë nga hetimet, mendoj ky ka qenë shkaku pse ka pasur vlerë më të ulët, ki parasysh s’ka qenë vlerë më e ulët tenderimi, por sepse nuk janë shpallur fituesit për shkak të ankimimeve”, u shpreh Emirjon Senja, gazetar.

“Në vitin 2025 kemi 700 mln euro pa konsumuar nga administrata për prokurime pasi ata që kanë qenë në komisione, kanë pasur stepje, frikë për shkak të zhvillimeve që ka pasur AKSHI, ARRSH, duke përfshirë drejtuesit e ARRSH-së e ish-funksionarë të tjerë”, u shpreh avokati, Alban Qafa.

Ajo që bie në sy është edhe tenderimi i vlerave të larta monetare në kontrata të klasifikuara sekrete. Pra, kontrata për të cilat nuk ka akses të lirë. E për pasojë, ato mbeten larg syrit kritik të ekspertëve. Në vitet 2019 deri në janar 2026, janë kryer pagesa në vlerë 6,9 miliardë lekë ose rreth 70 milionë euro për kontrata të tilla.

Nëse analizojmë me vëmendje transaksionet, shihet se mes subjekteve kryesore që janë faturuar nga kontratat sekrete është kompania ADVANCE BUSINESS SOLUTIONS, e shtetasit Gerond Meçe, biznesmenit të njohur që denoncoi peng marrjen në gusht 2025.

Pikërisht, ai do të ishte momenti kur duart e zgjatura të Meçes te tenderat e AKSHI-t do të harroheshin. Tashmë, ai po shihej gjerësisht si viktimë dhe jo më si përfitues i dhjetëra milionë eurove në procedura që ngrenë pikëpyetje të mëdha.

“Kanë lënë gjurmë dhe nëse shkon e thellohet hetimi, besoj do dalin të gjitha që kanë zhvatur fondet e tendera të AKSHI-t, aktorët e sotëm, të mëparshëm e ata që janë rikthyer”, u shpreh Emirjon Senja, gazetar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB