Inside Story/ Daniel Shima, bestytnia, ‘internimi’ dhe truprojat! A është ‘pentito’ njeriu ‘hije’ që kontrollonte lojën e pistë në AKSHI?!

11/02/2026 22:06

Dosja AKSHI, është një gropë e madhe e përvetësimit të parave publike e cila zgjerohet në disa drejtime nëse ndjekim paratë.

Teksa shtylla e parë e institucionit, drejtuesja Mirlinda Karçanaj u trondit nga SPAK, në këtë investigim ne do të fokusohemi te shtylla e dytë që ka firmosur tendera dhjetëra milionë euro. Një i ri 35-vjeçar, të cilit i shkëlqeu ylli i detyrës në administratë. Aty ku paguhej rreth 100 mijë lekë të reja në muaj, por doli nga andej si milioner në euro. Fjala është për ish-nëndrejtorin e AKSHI-t Daniel Shima. Një personazh misterioz, emri i të cilit u bë mjaft i njohur më 20 gusht të vitit 2025.

Aso kohe, ai u denoncua i zhdukur nga e dashura e tij Enkeleda Hysa. Kjo e fundit, mori një mesazh nga Danieli që e informonte se u arrestua. Por, pasi telefonoi policinë, mori përgjigjen se nuk ishte shoqëruar asnjë person me atë emër.

“Më datë 20.08.2025, rreth orës 17:00, në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur shtetasja Merita Shima, e cila ka kallëzuar se ditën e sotme ka humbur kontaktet me djalin e saj, shtetasin Daniel Shima, 34 vjeç”.

Lajmi bëri mjaft zhurmë, nisur edhe nga e shkuara që përfaqësonte Shima. Por, ai u bë i gjallë duke deklaruar se ishte zhdukur me dëshirë. Saktësisht, 9 orë pasi u denoncua i zhdukur, u vetëparaqit pranë komisariatit numër 1 në Tiranë, në orën 2 duke gdhirë 21 gushti.

“Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për kallëzimin e shtetases Merita Shima, për humbjen e kontakteve me djalin e saj, shtetasin Daniel Shima, 34 vjeç, bëjmë me dije se rreth orës 02:00, ky shtetas është paraqitur në Komisariatin e Policisë Nr. 1 dhe ka deklaruar se ishte larguar me dëshirën e tij.”

E vërteta e plotë e këtij episodi nuk u mësua kurrë, por ajo që bie në sy është fakti se kjo ngjarje përkon me intensifikimin e hetimeve të SPAK për tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Vetë Daniel Shima, është marrë në pyetje si një ish-person kyç për mbi 4 vite në atë institucion.

Nuk dihet ende raporti i tij me ligjin për momentin, por ai rezulton firmëtar në procedura të ndryshme të cilat janë objekt verifikimi. Mjaft interesant është fakti që dëshmia e Shimës nuk pasqyrohet në vendimin e masave të sigurisë ndaj drejtueses së AKSHI-t dhe disa biznesmenëve. Ka të dhëna që sugjerojnë se Shima po konsideron të ofrohet si bashkëpunëtor i prokurorisë për të zbutur pozitat e tij.

“Fjala pentito s’është shqip e para, por e huazuar nga mafia e Italisë dhe nëse e krahason me mafian i bie që është e frikshme, e para duhet të kuptojmë që është mafia, e pastaj të kemi pentito. Por nëse themi që ka bashkëpunues, mund të themi që ka”, u shpreh Bledar Meminaj, avokat.

“Ajo që ka ndodhur më parë e tani, na konfirmon që bëhet fjalë më shumë për përballje mes personazhesh që kanë qenë përfitues ose janë përfitues në dosje nga skandali”, u shpreh Emirjon Senja, gazetar.

Ky që shihni është Daniel Shima. Ai shfaqet në programin Zonë e Lirë në TV Klan në të parën dhe të vetmen intervistë më 10 qershor 2017. Aso kohe, ai shkoi në studio si Drejtor Infrastrukture në AKSHI, për të prezantuar shërbimet e E-Albanias.

Mes rreshtave, në prezantimin që bën drejtuesi i programit, kuptohet se ishte vetë Shima që kishte këmbëngulur të ishte pjesë e asaj puntate ku i ftuar ishte kreu i qeverisë.

“Ky nuk do të ishte këtu sot, por më tha Arjan…”

Ishte një i ri që kërkonte vëmendje publike aso kohe. Kur moderatori deklaroi se do ta ftonte sërish për të verifikuar premtimet për E-Albania, Shima aprovoi. Por, në fakt u zhduk nga vëmendja publike.

“Do të ftoj prapë: Po do vij me kënaqësi…”

Pak kohë më vonë, kur struktura e institucionit u ndryshua dhe për të u gjet vendi i zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, Shima u shndërrua në njeri-hije.

Ai, kujdesej të qëndronte larg bujës. Kur institucioni kishte aktivitete, ishte përherë prapa kamerave. Kujdesej personalisht të zhdukte çdo foto të tij nga publikimet. Kjo e kishte një shpjegim. Në prapaskenë, ai ishte njeriu ku drejtoheshin të gjithë vartësit e projekteve dhe njësisë së prokurimeve.

Nuk kishte rëndësi nëse ishte firmëtar i prokurimeve de jure. De facto, ishte përherë ai që dirigjonte. Sot, të paktën 40 prokurime të tjera, pjesë e dy fraksioneve që hetohen nga prokurorët Klodian Braho dhe Bledar Maksuti, përfshijnë tendera ku firmëtar direkt si titullar ka qenë pikërisht Daniel Shima.

Ata që punojnë në AKSHI, flasin për një periudhë 6-mujore në vitin 2023 që ata e quajnë internimi i Daniel Shimës. Ai nuk u shfaq në institucion, edhe pse në 8 vite nuk mungonte asnjë ditë në punë. Madje, nuk bënte kurrë lejen e zakonshme dhe nuk ekspozonte jetë luksi. Rikthimi ishte pompoz.

Ai shfaqej në institucion me truproja, edhe pse nuk e parashikonte funksioni organik. Kolegët dhe vartësit e kishin njohur si zyrtar supersticioz. Sipas një bestytnie të vjetër, Danieli nxitonte të shkelte i pari dyert e institucionit çdo datë 1 janar. Në fakt, duket se atij njeriu që nisi të tregonte forcën, i kishte buzëqeshur fati i detyrës.

Nëse ndjekim paratë, zbulohet se ky personazh misterioz, dyshohet se qëndron pas një skeme të madhe të qarkullimit dhe pastrimit të parave me burim korrupsionin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB