“Fondi Social 2026”, Gonzato: Shqipëria ka përfituar 100 mln euro nga BE, transparenca të jetë në qendër të politikave

11/02/2026 10:58

Ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, gjatë eventit ku prezantohen 14 shërbime të reja sociale për fëmijët dhe nënat në nevojë, u shpreh se mbështetja e BE për projekte të kësaj natyre është shumë e madhe në Shqipëri, krahasuar me vendet e tjera në rajon.

Sipas tij mirëqenia sociale është një ndër kriteret kryesore për anëtarësimin në BE.

“Mirëqenia sociale është vetë forca e një kombi. BE-ja ka një traditë të gjatë dhe jemi krenarë për investimin në kapitalin njerëzor. Fondi Social Evropian është po aq i vjetër sa vetë BE-ja dhe unë kam punuar për të. Ai është i përqendruar tek ata që janë më shumë në rrezik për t’u përjashtuar nga shoqëria. Strategjia Kombëtare për Mbrojtjen Sociale në Shqipëri ka për qëllim të trajtojë varfërinë dhe cenueshmërinë.

Fondi Social i Shqipërisë, që ka 7 vite që funksionon, ka financuar më shumë se 70 projekte dhe shërbime. Mbështetja e BE-së për mbrojtjen sociale në Shqipëri është nga më të lartat në Ballkanin Perëndimor. Po investojmë më shumë se 100 milionë euro përmes projekteve të BE-së për gjithëpërfshirjen dhe punësimin social.

Këto plotësohen edhe nga Plani i Rritjes i BE-së, nga i cili Shqipëria ka marrë 100 milionë euro për të mbështetur zhvillimin e kapitalit njerëzor. Kemi mbështetur 41 bashki për të krijuar planet e tyre vendore sociale, me qëllim që të hartojnë reagimet e duhura për nevojat që kanë analizuar”, tha Gonzato.

Gonzato theksoi se është nevoja për harmonizimin e legjislacionit shqiptar me atë evropian lidhur me përkujdesjen sociale.

“Duhet të ketë një harmonizim të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së. Duhet të ketë një rishikim të ligjit për përkujdesjen sociale për të parë se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Shqipëria mund të frymëzohet nga debatet që zhvillohen në BE. Duhet të përqendrohemi tek zbatimi: harmonizimi i legjislacionit me atë të BE-së është i rëndësishëm, por nuk mjafton pa zbatim. Duhet të ketë zbatim efektiv, që kërkon buxhet, burime të duhura njerëzore dhe sisteme të forta të përkujdesjes”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB