16 punonjës policie kanë mbetur të plagosur nga protesta e opozitës para godinës së Kuvendit.

Efektivët janë transportuar për ndihmë mjekësore, pasi kanë pësuar djegie e dëmtime fizike nga sendet e forta.

Nga spitali, ministrja Koçiu deklaroi “kam kërkuar që vendosën para përgjegjësisë të gjitha ata që sot u bënë pjesë e një dhune barbare. Qëllimi i vetëm i protestës së sotme ishte goditja e punonjësve të Policisë së Shtetit. Sot kam informacione që edhe gazetarë kanë pësuar lëndime në emër të dhunës. Protestat janë detyrime kushtetuese për t’u zbatuar në mënyrë paqësore. Është barbare ajo që pamë dhe dëshmuam sot. Janë 16 punonjës që janë dëmtuar, kanë pësuar djegie të konsiderueshme”.

Njoftimi i Policisë së Shtetit

“Gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar pasditen e sotme para godinës së Kryeministrisë dhe më pas te Kuvendi, një pjesë e protestuesve kanë ushtruar akte të rënda dhune ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dhe institucioneve shtetërore.

Policia e Shtetit, gjatë gjithë zhvillimit të tubimit iu ka bërë thirrje me megafon protestuesve të dhunshme që të distancoheshin nga dhuna, por sulmet ndaj punonjësve të policisë kanë vijuar deri në përfundim të tubimit me bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta.

Si pasojë e sulmeve drejt Policisë u dëmtuan 16 punonjës Policie, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore, pasi kanë pësuar djegie dhe dëmtime fizike.

Policia e Shtetit thekson se ka qenë e angazhuar gjatë gjithë tubimit për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për të siguruar ushtrimin e së drejtës kushtetuese të tubimit paqësor.
Strukturat ligjzbatuese po dokumentojnë të gjitha rastet e dhunës, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit, sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke falënderuar qytetarët që kanë bashkëpunuar dhe janë distancuar nga aktet e dhunshme, si dhe gazetarët dhe punonjësit e medias për transparencën që kanë ofruar për publikun“-njofton Policia e Shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB