Pesë punëtorë të kompanisë kanadeze të rrëmbyer në Meksikë gjenden të vdekur, kërkimet vijojnë për të tjerët

10/02/2026 07:22

Pesë nga dhjetë punëtorët e kompanisë minerare kanadeze Vizsla Silver, të rrëmbyer në fund të muajit të kaluar në Meksikë, janë gjetur të vdekur, njoftuan të hënën autoritetet meksikane, duke rishikuar një bilanc të mëparshëm që fliste për tre viktima.

Sipas prokurorëve, procesi i identifikimit të pesë trupave të pajetë, të gjetur në një zonë fushore në komunën Concordia, në shtetin e Sinaloas, ka përfunduar, ndërsa hetimet vazhdojnë për identifikimin e pesë trupave të tjerë të gjetur në të njëjtën zonë.

Më herët, Dhoma Meksikane e Minierave kishte raportuar për tre trupa të gjetur në Sinaloa, por autoritetet sqaruan se numri i viktimave është më i lartë pas përfundimit të procedurave zyrtare të identifikimit.

Dhjetë punëtorë, të gjithë shtetas meksikanë, u rrëmbyen më 23 janar, kur një grup burrash të armatosur sulmuan kampin e punëtorëve në një minierë në Concordia dhe i morën me forcë. Që prej asaj dite, autoritetet kanë zhvilluar operacione të gjera kërkimi në zonë.

Kompania Vizsla Silver bëri të ditur se ishte informuar nga familjarët e viktimave për gjetjen e trupave dhe shprehu tronditje për ngjarjen tragjike, ndërsa pritet konfirmimi përfundimtar nga autoritetet. Presidenti dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë, Michael Konert, deklaroi se prioritet mbetet gjetja e punëtorëve që rezultojnë ende të zhdukur.

Autoritetet meksikane konfirmuan se katër persona janë arrestuar në lidhje me çështjen, ndërsa më shumë se 1,000 policë dhe ushtarë janë angazhuar në operacionet e kërkimit dhe bastisjet në zonën ku ndodhi rrëmbimi.

Shteti i Sinaloas po përballet me një përshkallëzim të dhunës për shkak të konfliktit të brendshëm brenda kartelit të Sinaloas. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 1,700 persona janë vrarë, ndërsa rreth 2,000 të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB