Tjetër tragjedi rrugore në Rumani, tre persona humbin jetën pranë vendit ku ndodhi aksidenti fatal me tifozët e PAOK-ut
Dy diplomatë të profilit të lartë po hetohen nga autoritetet norvegjeze për lidhjet e tyre me pedofilin e dënuar Jeffrey Epstein.
Diplomatja e parë që po hetohet nga agjencia norvegjeze kundër krimit financiar, Økokrim, është Mona Juul, e cila dha dorëheqjen nga posti i saj si ambasadore në Jordani dhe Irak të dielën. Juul, e cila pranoi se kishte “gjykim të keq” në lidhje me njohjen e saj me Epstein, po hetohet për korrupsion gjatë punës në Ministrinë e Jashtme.

I dyti është bashkëshorti i saj, Terje Rød-Larsen, një ish-diplomat dhe ish-president i Institutit Ndërkombëtar të Paqes (IPI), i cili po hetohet gjithashtu për bashkëpunim në korrupsion.
“Ne kemi nisur një hetim për të sqaruar nëse janë kryer vepra penale. Ne përballemi me një hetim gjithëpërfshirës dhe, me shumë gjasa, afatgjatë. Ndër të tjera, agjencia do të hetojë nëse Juul ka marrë përfitime në lidhje me pozicionin e saj”, tha Paul Launceth, kreu i Økokrim.
Avokatët e Juul dhe Read-Larsen thanë se klientët e tyre po bashkëpunojnë me autoritetet dhe janë të bindur se akuzat do të vërtetohen të pabazuara.

Princesha Mette-Marit dhe ish-kryeministri norvegjez shfaqen në dokumente e dosjes Epstein
Çifti, i cili ishte pjesë e një grupi të vogël diplomatësh të përfshirë në Marrëveshjet e Oslos të viteve 1993-1995, janë midis disa zyrtarëve norvegjezë që kanë bërë bujë për lidhjet e tyre me Epstein, të cilat u zbuluan pasi Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së publikoi miliona dokumente.
Zbulimet tronditën vendin skandinav, kryesisht për shkak të marrëdhënies së pedofilit me Princeshën Mette-Marit, por edhe për shkak të lidhjeve të tij me figura të tjera të shquara në Norvegji. Mette-Marit iu referua marrëdhënies së saj me Epstein, duke thënë: “Unë tregova gjykim të dobët dhe më vjen shumë keq që kam pasur kontakt me Epstein. Është thjesht e turpshme.”

Økorkrim, autoriteti kombëtar për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve ekonomike dhe mjedisore, ka nisur tashmë një hetim ndaj Thorbjorn Jagland, ish-kryeministër i Norvegjisë, ish-kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit dhe ish-Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës.

Fëmijët e tyre trashëguan 10 milionë dollarë nga Epstein
Të dhënat, të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, duket se tregojnë se dy fëmijët e Juul dhe Rød-Larsen trashëguan 10 milionë dollarë nga Epstein dhe se Rød-Larsen u emërua ekzekutor i testamentit të Epstein në vitin 2017, një vendim që u anulua më vonë.
Të dhënat tregojnë se çifti vizitoi ishullin privat të Epstein me fëmijët e tyre në vitin 2011, me Rød-Larsen që më vonë falënderoi pedofilin për udhëtimin, duke e përshkruar ishullin si “absolutisht unik”. “Të gjithëve na pëlqeu shumë!”, shkroi Rød-Larsen në një email, përpara se të shtonte: “Mona të dërgon një puthje”.
Duke njoftuar dorëheqjen e Juul, Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, tha se marrëdhënia e saj me Epstein “zbuloi një mungesë serioze gjykimi”, duke shtuar se situata e bën të vështirë rivendosjen e besimit që kërkon roli i saj.
Avokati i Juul, Thomas Skjelbred, tha se akuzat kundër klientes së tij ishin “serioze”. Por, shtoi ai, Juul “në të njëjtën kohë, e sheh si pozitive që akuzat tani do t’i nënshtrohen një hetimi të plotë, me qëllim sqarimin e rrethanave reale”.
“Klientja ime nuk i pranon akuzat kundër saj”, tha avokati.
Nga ana tjetër, avokati i Rød-Larsen, John Christian Elden, tha se akuza kundër klientit të tij për bashkëpunim të dyshuar në korrupsion midis viteve 2011 dhe 2018 “përqendrohet në një transferim apartamenti në vitin 2018 dhe një udhëtim të mundshëm në vitin 2011”.
“Ai mbetet plotësisht në dispozicion të hetuesve dhe po bashkëpunon në masën më të plotë të mundshme në këtë fazë. Rød-Larsen është i bindur se, pasi të gjitha faktet të jenë shqyrtuar plotësisht, hetimi do të sqarojë se nuk ka bazë për përgjegjësi penale dhe çështja do të pushohet”, shtoi ai.
Rød-Larsen ka kërkuar falje disa herë për marrëdhënien e tij me Epstein dhe në vitin 2020 dha dorëheqjen si Drejtor Ekzekutiv i IPI-së.
Top Channel