53 emigrantë të vdekur pas përmbysjes së një barke në brigjet e Libisë, mes tyre edhe dy foshnje
Një grua 27-vjeçare ka humbur jetën pas një kursi noti të zhvilluar së bashku me familjen e saj, ndërsa policia po heton një rast të dyshuar helmimi nga kimikatet e përdorura për pastrimin e pishinës.
Viktima, Juliana Faustino Bassetto, po merrte një kurs të rregullt noti me bashkëshortin e saj, kur të dy vunë re një erë dhe shije të pazakontë të ujit. Sipas mediave braziliane, ata kanë njoftuar instruktorin e notit pasi nisën të ndiheshin keq, ndërsa të gjithë nxënësit u këshilluan të largoheshin nga ambientet.
Juliana dhe bashkëshorti i saj, banorë të São Paulos, u dërguan me urgjencë në spital të shtunën, pasi shfaqën simptoma të rënda shëndetësore. Gjendja e 27-vjeçares u përkeqësua ndjeshëm dhe ajo pësoi arrest kardiak, duke ndërruar jetë pak më vonë. Bashkëshorti i saj ndodhet ende në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në terapi intensive ndodhet edhe një fëmijë 14-vjeçar, i cili ishte pjesë e të njëjtit kurs noti. Dy persona të tjerë që kishin frekuentuar pishinën janë ndjerë keq.
Sipas policisë, viktimat janë sëmurur pasi kanë thithur një përzierje të rrezikshme kimikatesh të përdorura për pastrimin e pishinës. Hetuesit kanë gjetur në vendngjarje një kovë me rreth 20 litra përzierje potencialisht helmuese, e cila është sekuestruar për analiza së bashku me ujin e pishinës.
Top Channel