U arrestua një vit më parë, GJKKO kalon për gjykim çështjen e Veliajt/ Avokatët e kryebashkiakut bojkotojnë seancën
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot për më shumë se një orë grupin parlamentar socialist, pak para se të niset për në Bruksel ku do të pritet nga Presidenti i Këshillit Europian Antonio Kosta.
Burime nga kjo mbledhje i thanë gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu se kryesocialisti Edi Rama është shprehur për ta vijuar betejën ligjore për pezullimin nga GJKKO të zëvendës kryeministres Belinda Balluku.
Kryeministri nuk ka dhënë detaje se si do të vijohet me këtë betejë.
Mbledhja vjen pak ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk mundi të marrë një vendim për kërkesën e kryeministrit Rama, duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së për pezullimin e zv.kryeministres nga detyra.
Edhe një ditë më parë në podcastin “Flasim”, kreu i qeverisë tha se do ta vijojë betejën për këtë çështje.
“Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë, – është vendim shumë i thjeshtë se mjafton të marrësh shembull çdo vend të botës që do apo të gjithë vendet e botës bashkë dhe nuk do të gjesh dot një gjë të ngjashme, – por një vendim po aq dhe të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë”, deklaroi Rama.
Top Channel