Vrau 51 njerëz në xhamitë e Christchurch në Zelandën e re, Brenton Tarrant apelon dënimin me burgim të përjetshëm
Partia Popullore spanjolle ka fituar zgjedhjet lokale të zhvilluara të dielën në Aragon, në verilindje të Spanjës, duke shënuar një tjetër humbje të rëndë për socialistët e kryeministrit Pedro Sánchez dhe një forcim të ndjeshëm të së djathtës ekstreme Vox.
Sipas rezultateve zyrtare me 95% të votave të numëruara, PP ka siguruar 33.5% të votave dhe 26 vende në parlamentin rajonal prej 67 anëtarësh, nga 28 që kishte në legjislaturën e mëparshme. Rreth një milion qytetarë, kryesisht në metropolin e Zaragozës, morën pjesë në procesin e votimit.
Rezultati e bën PP-në edhe më të varur nga Vox për formimin e qeverisë rajonale. Partia e ekstremit të djathtë ka dyfishuar numrin e vendeve të saj, nga 7 në 14, duke arritur rreth 18% të votave, një rritje prej më shumë se 6.5%.
PP dhe Vox kishin qeverisur më herët së bashku në Aragon, nga qershori 2023 deri në korrik 2024, në kuadër të një aleance lokale që u shpërbë për shkak të mosmarrëveshjeve mes drejtuesve të partive në nivel kombëtar.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste (PSOE), e përfaqësuar nga Pilar Alegría – ish-zëdhënëse e qeverisë Sánchez – humbi pesë vende, duke mbetur me 18 mandate dhe rreth 24% të votave. Ky është rezultati më i dobët i socialistëve në Aragon në 40 vitet e fundit, që nga rivendosja e demokracisë në Spanjë.
Zgjedhjet në këtë rajon, i cili konsiderohet një nga qendrat kryesore të energjisë së rinovueshme në vend, u zhvilluan në një klimë të tensionuar politike, ndërsa PP dhe Vox po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Sánchez për shkak të përfshirjes së rrethit të tij personal dhe profesional në disa skandale korrupsioni.
Humbja në Aragon vjen pas një tjetër disfate për PSOE-në në dhjetor në Extremadura, ku partia humbi rreth 14% të elektoratit të saj. Megjithatë, kryeministri Sánchez ka theksuar se parlamenti kombëtar do ta përfundojë mandatin e plotë, i cili përfundon në vitin 2027.
Ndërkohë, një tjetër provë elektorale për forcat politike në Spanjë pritet në mesin e marsit, me zgjedhjet lokale që do të mbahen në rajonin e Castile dhe Leon.
Top Channel