Shembja e dy ndërtesave në Liban, shkon në 15 numri i viktimave Në Ankara mblidhet sot “Këshilli Suprem i Bashkëpunimit Greqi–Turqi”, për një takim zhvillohet në një klimë të brishtë, mes dy vendeve partnere në NATO, por me mosmarrëveshje të thella dhe të pazgjidhura për kufijtë detarë.
Tensionet mes dy vendeve në Detin Egje janë rishfaqur sërish, duke rikthyer frikën e një përshkakllëzimi të ri të marrëdhënieve mes tyre.
Sipas planit, në këtë forum marrin pjesë presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia e një takimi të drejtpërdrejtë mes dy liderëve, çka shihet si një test i rëndësishëm për vullnetin politik të të dyja palëve për të mbajtur të hapur dialogun.
Këshilli Suprem i Bashkëpunimit u krijua në vitin 2010 për të ulur tensionet pas krizave të përsëritura në Mesdheun Lindor. Edhe pse nuk ka prodhuar marrëveshje të mëdha, ai synon të ruajë një agjendë pozitive, kryesisht në fushat e ekonomisë dhe turizmit.
Megjithatë, ky mekanizëm është mbledhur vetëm pesë herë deri tani, hera e fundit në Athinë në dhjetor 2023. Në prag të takimit të sotëm, një çështje e re ka shtuar tensionet: përdorimi nga Turqia i sistemit të navigacionit detar “Navtex”, përmes të cilit Ankaraja paralajmëroi për rreziqe sigurie dhe aktivitete ushtarake greke në zona të diskutueshme të Egjeut.
Athina e interpreton këtë si një përpjekje për të zgjeruar kontrollin turk në hapësira detare që mbeten objekt mosmarrëveshjeje, ndërsa media greke e ka cilësuar veprimin si një provokim të ri.
Nga ana tjetër, Turqia e paraqet Navtex-in si një procedurë teknike rutinë dhe në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar.
Tensionet në det kanë pasoja edhe në politikën e brendshme greke. Kryeministri Mitsotakis përballet me kritika në rritje nga e djathta nacionaliste, e cila e akuzon qeverinë se po tregohet e butë ndaj Ankarasë, ndërsa Turqia vazhdon të shtyjë përpara pretendimet e saj detare.
Në thelb, mosmarrëveshjet mes dy vendeve lidhen me shefin kontinental, shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe zgjerimin e ujërave territoriale në Egje.
Turqia, në kuadër të doktrinës së saj ushtarake “Atdheu Blu”, pretendon zona të gjera detare, ndërsa Greqia mbështetet në Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit, e cila parashikon ujëra territoriale deri në 12 milje detare — një konventë që Turqia nuk e ka nënshkruar.
Top Channel