Zelensky “zhvendos” fundin e luftës: Shpresat janë që të përfundojë deri në qershor

07/02/2026 15:49

Edhe pse i preferuar, muaji mars presidentit ukrainas Volodymir Zelensky i duket një datë jorealiste për fundin e konfliktit me Rusinë.

Reuters pohoi më herët se Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë diskutuar një plan ambicioz për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Moskën brenda muajit të ardhshëm. Megjithatë burime të afërta me negociatat paralajmërojnë se ky afat kohor mund të mos realizohet, për shkak të mosmarrëveshjeve të thella mbi çështjen më delikate: territorin. Zelensky përmendi një tjetër afat.

“SHBA-ja dëshiron që lufta mes Ukrainës dhe Rusisë të përfundojë deri në qershor. Për herë të parë është propozuar një takim i drejtpërdrejtë mes ekipeve negociuese të të dyja vendeve, i cili të mbahet në Shtetet e Bashkuara, ndoshta në Miami.”-tha Zelensky.

Ukraina e ka konfirmuar pjesëmarrjen, ndërsa siç thotë BBC, as nga Rusia apo Shtetet e Bashkuara ende nuk ka reagim zyrtar. Zelensky foli gjithashtu për raundin e dytë të bisedimeve për paqe të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Abu Dhabi, të cilat përfunduan pa ndonjë përparim konkret. Ai pranoi se çështjet kryesore, sidomos lëshimet territoriale, mbeten shumë të vështira. Për herë të parë u diskutua edhe mundësia e një takimi trepalësh këtë herë në nivel liderësh, por që sipas tij nevojiten ende përgatitje.

Rusia ndërkohë i ka vazhduar sulmet masive ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke goditur termocentrale, nënstacione dhe linja të energjisë, çka ka shkaktuar mungesa të mëdha të rrymës në disa rajone, sidomos në perëndim të vendit.

Mijëra qytetarë mbetën në errësirë, teksa pati viktima dhe të plagosur, ndërsa u kërkua me urgjencë energji elektrike nga Polonia. Megjithatë edhe Kievi nga ana tjetër ka ndërmarrë sulme ndaj objektivave strategjike brenda Rusisë. Diplomacia po vazhdon, por në të njëjtën kohë edhe sulmet intensive nuk kanë të ndalur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB