Kaos dhe emocione në kryeqytet, Tirana dhe Dinamo ndajnë pikët në një derbi spektakolar
Java e 23-të e Kategorisë Superiore uli siparin këtë të shtunë, duke sjellë lëvizje të rëndësishme në renditje dhe konfirmime për momentin e skuadrave kryesore.
Tirana vijon serinë pozitive në vitin 2026, duke mbetur e pamposhtur, edhe pse u ndal në barazimin 1-1 ndaj Dinamos në derbin e kryeqytetit.
Bardheblutë po përjetojnë një ringritje të dukshme, teksa tashmë numërojnë 21 pikë dhe për herë të parë pas shumë javësh janë ngjitur në zonën “play-out”. Distanca me Vorën, që ndodhet jashtë zonës së rrezikut, është vetëm 4 pikë, duke mbajtur të hapur luftën për mbijetesë.
Në krahun tjetër, Dinamo vazhdon të kalojë një periudhë të vështirë. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja ende nuk ka shijuar fitoren në vitin 2026, megjithatë ruan vendin e katërt në renditje. Diferenca me kryesuesit e Vllaznisë ka shkuar në 10 pikë, ndërsa pas shkodranëve renditen Egnatia dhe Elbasani, të dyja me nga 3 pikë më pak.
Situata mbetet delikate edhe për Partizanin, i cili duhet të jetë i kujdesshëm ndaj zonës së poshtme të tabelës, por njëkohësisht mund të synojë zonën “Final Four”, që aktualisht ndodhet 5 pikë larg. Menjëherë pas të kuqve pozicionohet Teuta, e gjashta në renditje, me 3 pikë më pak.
Fundin e tabelës e mbyllin Bylisi dhe Flamurtari. Ballshiotët janë vetëm 1 pikë prapa Tiranës, ndërsa Flamurtari ndodhet 2 pikë më larg, duke e bërë edhe më të fortë luftën për mbijetesë në javët e mbetura të kampionatit.
RENDITJA:

Top Channel