Epsh- tajn, konspiracion dhe politika e heshtjes
Nga Mirgen Pero
Një intervistë televizive nuk duhet të jetë kurrë shkak për keqinterpretime të qëllimshme, aq më pak për sensacionalizëm artificial. Të enjten, në emisionin “Top Story”, me Grida Dumën, ish-Ministri i Drejtësisë dhe Kryetari i Komisionit të Ligjeve në Kuvend, Ulsi Manja, foli hapur për reformën në drejtësi: për arritjet, problemet dhe sfidat e saj; për debatin mes pushteteve lidhur me pagat e magjistratëve; për rolin e institucioneve të reja të drejtësisë; për përgjegjësitë e organeve që qeverisin sistemin.
Por disa media dhe portale reaguan, si përherë, sikur ka thënë gjëra të pathëna, apo sikur është kaluar ndonjë vijë e kuqe sa i takon reformës në drejtësi. Në fakt, në atë intervistë nuk ka asgjë të re në qëndrimet e tij. Nga gjithë ky reagim rrjedh vetëm një pyetje legjitime: pse gjithë kjo habi për qëndrime të shprehura publikisht, institucionalisht dhe në mënyrë të vazhdueshme?
Qëndrimet e tij për reformën në drejtësi nuk janë të reja. Kush i ndjek punimet e Komisionit të Ligjeve dhe të Kuvendit, e di që ai këto qëndrime i ka shprehur edhe në raportimet e vjeshtës së kaluar, dhe besoj se do vijojë t’i përsërisë sërish në raportimet e ardhshme të institucioneve të drejtësisë. I ka thënë si ministër i Drejtësisë dhe i thotë sot si kryetar i Komisionit të Ligjeve.
Ka thënë dhe vazhdon të thotë se drejtësia cilësore nuk mund të ekzistojë pa standarde të qarta dhe të unifikuara, të vendosura nga Gjykata e Lartë.
Ka thënë se prokuroria është palë në proces dhe se drejtësinë e jep vetëm gjykata. Ka thënë se vëmendja publike nuk duhet të përqendrohet vetëm te SPAK-u dhe GJKKO-ja, por edhe te gjykatat dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, ku ndodhen problematikat më të mëdha të sistemit: stoku i dosjeve, zvarritjet, mungesa e disiplinës profesionale, standardet e dyfishta dhe mungesa e transparencës.
Ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë SPAK-un në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka thënë qartë se kauzat e SPAK-ut janë kauza drejtësie dhe nuk duhet të përvetësohen nga politika për lojëra të ditës. Reforma në drejtësi ka qenë dhe mbetet një zgjedhje e drejtë dhe e domosdoshme. Ajo nuk preket, dhe çdo zhvillim i saj duhet të vijë nga vetë sistemi, në konsultim me partnerët strategjikë.
Por mbështetja për reformën nuk do të thotë heshtje për problemet. Përkundrazi. Heshtja dëmton reformën dhe dëmton drejtësinë. Kritika institucionale, e argumentuar dhe e hapur, është shenjë përgjegjësie, jo kërcënim për sistemin.
Prandaj, gjithë kjo zhurmë për një intervistë ngre vetëm një dyshim: a kemi të bëjmë me keqkuptim apo me deformim të qëllimshëm? Sepse asgjë nga ato që janë thënë nuk është as e re, as e fshehtë, as e thënë jashtë kornizës kushtetuese.
Qëndrimet e tij janë publike. I ka thënë, i thotë dhe do t’i thotë sa herë që duhet. Ulsi Manja nuk ka nevojë për përkthyes shqip–shqip. Ulsi Manja i del zot fjalëve të tij dhe do vijojë të flasë si qytetar, si jurist, si deputet dhe si përfaqësues i një mazhorance që ka marrë përsipër autorësinë dhe garancinë e reformës në drejtësi.
Drejtësia është pasuri publike. Dhe për pasuritë publike nuk heshtet — flitet, debatohet dhe përmirësohet.
*Mirgen Pero — Këshilltar për Mediat i ish-Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.
Top Channel